Ish sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, e ka quajtur procesin gjyqësor ndaj tij “luftë të shtrigave” të cilën, siç tha ai, po e bëjnë kompanitë farmaceutike.
Tolaj foli para gazetarëve menjëherë pasi gjykata në Prishtinë e shpalli të pafajshëm në akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare bashkë me disa zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Kundër meje është bërë një luftë shtrigash me qëllim që të përjashtohem nga çdo lloj aktiviteti i jetës politike pavarësisht kësaj jam falënderues i të gjithë atyre që i kanë besuar pafajësisë sime si dhe gjykatës që përkundër presionit ka marrë një vendim të drejtë”, tha Tolaj.
“Janë dy elemente që e bëjnë këtë punë: janë kompanitë famaceutike, elementet kriminale të tyre, dhe politika e lidhur me ta”, tha Tolaj.
“Në janar kur unë jam arrestuar, depoja ka qenë deri në tavan e mbushur me barëra ndërsa sot nëse shkoni nuk keni asnjë gjilpërë”, shtoi ai.
Ai tha se këtë muaj janë bërë 10 vjet qëkur kanë filluar hetimet ndaj tij.
“Nuk ka të bëjë me blloqe politike por me politika të interesit”, u shpreh Tolaj.
Ndërsa avokati i Tolajt, Besnik Berisha, e vlerësoi lajm të mirë lirimin e klientit të tij, por e akuzoi Prokurorinë.
“Sot u konfirmua edhe një herë që kemi një prokurori të dështuar që ka bërë ndjekje selektive jo vetëm ndaj Tolaj por edhe të tjerëvë”, tha avokati Berisha.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhej nga tri pika.
Pika e parë akuzon Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.
Këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro.
Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.
Për këtë Prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Pika e dytë e aktakuzës e akuzon Zenel Kuqin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.
Me këtë në vazhdimësi sipas Prokurorisë Kuqi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pika e tretë e akuzon Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me Kompaninë “KMI”, sh.p.k. si dhe Remzije Thaqi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove.
Me këtë në vazhdimësi Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi e Florije Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.
Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe Gjykata.
Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, Gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë.
Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.
Gjykimi i ish-sekretarit dhe zyrtarëve të MSh-së është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.