Arsim & Kulturë

Ilir Tafa edhe në një projekt të madh filmik në Sarajevë

Pas nëntë vjetësh të inskenimit të parë, shfaqja kult “Bretkoca” („Žaba“), e cila u dha më shumë se 250 herë në Teatrin e Sarajevës dhe gjithandej nëpër regjion, do të shndërrohet në film.

Xhirimet e filmit “Bretkoca” („Žaba“), me regji të Elmir Jukic, e në të cilin krahas aktorëve të njohur boshnjak, në njërin nga rolet kryesore do të paraqitet edhe aktori shqiptar Ilir Tafa, do të fillojnë nesër, në Sarajevë.

“Skenari përcjell një mesazh që do ta konsideroja si deficit të rrethit ku jetojmë ne – optimizmit”, ka thënë regjisori i filmit, Elmir Jukic, i cili për kastin e filmit thotë se e ka përforcuar edhe me prezencën e aktorit Ilir Tafa. Ndërsa, ky i fundit, ka thënë se filmi është i bazuar mbi problemet e kohës së tashme me të cilat ballafaqohet jo vetëm BeH apo Kroacia, por gjithandej ky regjion.

“Para së gjithash është problemi i mosekzistimit të komunikimit dhe mosgatishmëria jonë për të dëgjuar tjetrin”, ka thënë Tafa, duke folur për temën që trajton filmi.

Filmi “Bretkoca” („Žaba“), do të realizohet nga produksioni filmik “Refresh” nga Bosnja, ndërsa partnerë të projektit janë edhe produksione nga Kroacia, Serbia, Sllovenia dhe Maqedonia.

Filmi i përket metrazhit të gjatë. Skenari është shkruar nga skenaristi kroat Dubravko Mihanović, producent do të jetë  Ademir Kenović, ndërsa në rolet kryesore, krahas Ilir Tafës do të paraqiten edhe aktorët e mirënjohur Emir Hadžihafizbegović, Moamer Kasumović,Mirsad Tuka, etj..

Premiera e filmit pritet të jepet gjatë vitit 2017.