Aktuale

Ilir Meta mban fjalim në gjuhën shqipe në Parlamentin malazez, tmerrohen deputetët serbë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë vizitës së tij 2 ditore në Malin e Zi mbajti një fjalë përshëndetëse në parlamentin e vendit fqinj, ku deklaroi se ndihet i nderuar të mbajë fjalimin e parë në gjuhën shqipe.

Por gjatë vizitës së kryeparlamentarit Meta në Malin e Zi, deputetët e Demokracisë së re Serbe kanë protestuar me pankarta.

“Populli i Malit të Zi nuk do ta njohë Kosovën, ne shpresojmë se një herë rrethanat gjeopolitike do të bëjnë të mundur që flamuri ynë të rikthehet në Kosovë “, deklaroi deputeti i Demokracisë së re Serbe, Slaven Radunoviç.

Gjatë fjalës së tij, Meta deklaroi se Shqipëria i çmon marrëdhëniet e shkëlqyera me fqinjin tonë Malin e Zi, të cilave shpeshherë të tjerët u referohen si një model të fqinjësisë së mirë dhe të mbarëvajtjes së marrëdhënieve në rajonin tonë të Ballkanit.

“Për mua personalisht, është një kënaqësi e madhe që më jepet mundësia dhe nderi të mbaj fjalimin e parë në gjuhën shqipe, në përurim të sistemit të përkthimit të përhershëm simultan në gjuhët shqip dhe malazeze (dhe anasjelltas) i cili do të përdoret gjatë zhvillimit të seancave parlamentare në Malin e Zi. Ky është një hap vizionar dhe një gjest domethënës që duhet përshëndetur, ndaj në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua t’ju falenderoj, t’ju përgëzoj e t’ju uroj sa më shumë suksese në realizimin e vizionit tuaj për një Mal të Zi sa më modern e të integruar në strukturat euro-atlantike”, tha Meta.

Gjatë vizitës në Podgoricë, Meta i dha kryeministrit Milo Gjukanoviç dekoratën “Urdhri i Flamurit”.

Meta pati një përgjigje edhe për protesutesit e pozitës malazeze: “Për sa i përket mesazhit që disa deputetë të opozitës dhanë me rastin e vizitës time këtu në Mal të Zi, kam edhe unë një mesazh për ta nga Parlamenti i Malit të Zi. Duke i siguruar ata se ne jemi të përqendruar për të punuar së bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe me të gjithë vendet e rajonit dhe padyshim edhe me Serbinë. Me këtë rast dua të theksoj se çdo ditë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë përparojnë dhe njohin progres të admirueshëm.

Ne jemi të angazhuar që në pak vite t’i çojmë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë në atë nivel të shkëlqyer që janë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantojmë një të ardhme të sigurt të qytetarëve tanë e të të gjithë vendeve tona në rajon”, deklaroi Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.