Deputeti i pavarur, Ilir Deda, vlerëson se nëse shkohet në zgjedhje në qershor do të jetë rrezik për destabilizim të vendit, duke marrë për bazë krizën politike në Shqipëri dhe Maqedoni.
Deda, që është njëri nga themeluesit e subjektit më të ri politik Alternativa, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të përkujdeset njëkohësisht për këto vende, nëse ato hyjnë në një krizë të thellë politike.
Deda ka folur edhe për aktualitetin politik në vend.
“Krejt e dinë se fajtor për gjendjen e mjerueshme në Kosovë tash e 18 vjet është qeverisja që e ka udhëheq PDK”, tha Deda në emisionin “Rrokum Roll” në TV Rrokum.
Ai thotë se vendit i duhet një qeverisje që e lufton korrupsionin dhe e cila ka pikësynim mirëqenien dhe jetën e qytetarëve.
Deda ka thënë se SHBA-të, por edhe BE ia kanë bërë të qartë politikes kosovare se nuk janë të interesuar për jo stabilitet në Ballkan, veçmas në Kosovë.
“Ata që vendosin të shkaktojnë kriza të njëanshme dhe destabilitet, zakonisht bien prej pushtetit”, tha Deda.