Përderisa italianët po e festojnë fillimin e verës dhe mijëra njerëz po shkojnë në plazhe, autoritetet i kanë identifikuar së paku dhjetë vatra të reja të përhapjes së koronavirusit në mbarë vendin.
javën e kaluar, një lagje në Mandragone, në provincën Caserta, u shpall zonë e kuqe dhe u vendos në karantinë për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit pasi 49 persona dolën pozitivë në test, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Ky lajm nxiti një varg përplasjesh mes bullgarëve që banojnë në zonën e karantinuar dhe të cilët dëshirojnë të dalin prej saj për të punuar në fermat lokale, dhe italianëve që duan që zona e kuqe të respektohet. Qeveria e ka dërguar një grup ushtarësh për ta mbajtur situatën nën kontroll.
Në Bolonjë, më shumë se 90 punëtorë të një kompanie për shpërndarje të mallrave kanë dalë pozitivë për koronavirus, ndërsa në provincat Prato dhe Pistoia janë shënuar 19 raste të reja.
Në Porto Empedocle të provincës Agrigento, 28 imigrantë që u shpëtuan në det kanë dalë gjithashtu pozitivë për koronavirus. Azilkërkuesit tash për tash po mbahen në një traget afër bregdetit, ku janë vendosur në karantinë.
Në perfieri të Romës janë regjistruar 15 raste dhe një vatër e dytë e përhapjes është krijuar në një spital në pjesën perëndimore të kryeqytetit italian, ku janë shënuar 109 raste të infektimeve dhe pesë të vdekur.
Në një intervistë për televizionin La7, Massimo Galli, profesor i sëmundjeve ngjitëse në Universitetin e Milanit dhe drejtor i repartit për sëmundje ngjitëse në spitalin Luigi Sacco, tha se këto vatra të reja të përhapjes janë dëshmi se virusi po vazhdon të qarkullojë.