Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi konsideron se të gjitha subjektet politike kanë nisur tashmë fushatën e tyre zgjedhore, përveç partisë së tij.
Një gjë të tillë, deputeti Ibishi e tha në emisionin “Fakt Plus” të Tribuna Channel, ku dhe mohoi se LDK-ja është duke bërë fushatë zgjedhore, të ngjashme me partië tjera.
“Të gjithë ja kanë nis përveç LDK-ja, ne këtë po e bëjmë vetëm në përvjetorët e degëve. Por jo sikur këta tjerët. Tani po thirren në atë se po bëjnë diçka tjetër, por e vërteta është se po e bëjnë për zgjedhje“, deklaroi ai.
I pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme në këtë vit, Ibishi vlerësoi se një gjë e tillë nuk është e nevojshme për shkak të mungesës së reformave “të duhura zgjedhore” siç ka thënë ai.
“Nuk është e nevojshmë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, për arsye se nuk kemi bërë as reforma të duhura zgjedhore. Në këto rrethana shumë më lehtë është që të kemi vetëm një pal zgjedhje në këtë vit, e pastaj në vitin tjetër të mbahen ato që janë të parapara“, ka thënë ky deputet.
Se partitë opozitare dhe ato në pozitë po bëhen gati për zgjedhje të parakoshme, këtë e dëshmon edhe fakti i zgjedhjes së kandidatëve të tyre për Kryeministër të Kosovës. I fundit që është zgjedhur për këtë pozitë, është Kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherit shefi i PDK-së, i cili në Konventën e VIII-të zgjedhore të kësaj partie është nominuar për Kryeministër të Kosovës./GazetaBlic.com/