Aktuale

Ia pa sherrin fotografisë në Facebook

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar një person në fshatin Vranidoll të Prishtinës, të cilit pas kontrollimit i është gjetur një pistoletë me dy karikatorë me shtatëmbëdhjetë fishekë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Në të njëjtin fshat policia ka arrestuar edhe një person tjetër të cilit gjatë kontrollit në trup i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tetë fishekë dhe një thikë. I njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Kurse në Fushë Kosovë, policia ka arrestuar një person të dyshuar, i cili në rrjetin social e kishte ekspozuar një fotografi me armë në dorë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti në rrjetin social kishte ekspozuar një fotografi me armë në dorë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë./Insajderi.com