Mbrëmjen e së hënës, 20 persona u konfirmuan me virusin COVID-19 në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës bëri të ditur se një nga të prekurit me koronavirus është banor i Drenasit. E kjo komunë deri më tani nuk kishte asnjë person të prekur me COVID-19. Mirëpo, duket se personi me prejardhje nga Drenasi, kishte qëndruar në një qytet tjetër të Kosovës e jo në vendlindjen e tij në Drenas, raporton Gazeta Express
Zyrtari për informim në Komunën e Drenasit, Bekim Dobra ka thënë për Gazetën Express se sipas informatave nga IKSHPK-ja dhe Klinika Infektive e QKUK-së, personi i prekur me koronavirus nga Drenasi, nuk ka qenë atje për më shumë se tre javë.
“Sipas informative nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës por edhe drejtori i Infektives në QKUK kanë treguar se rasti në fjalë është banor i Drenasit por nuk ka qenë në Drenas më shumë se tre javë apo një muaj. Me vendbanim ka qenë me gjasë në Prishtinë apo Fushë-Kosovë. Vetë i infektuari ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt me familjarët për më shumë se tre javë”, ka thënë Dobra.
Dobra ka theksuar se gjendja në Drenas është e mirë dhe se qytetarët po i respektojnë vendimet e Qeverisë dhe rekomandimet e IKSHPK-së për të qëndruar në shtëpi.
“Në përgjithësi gjendja në Drenas është e mirë, zyrtarisht nuk kemi raste të konfirmuara, Shtabi Emergjent po mban mbledhje të rregullta. Familjeve në nevojë po ju dalim në ndihmë me pako ushqimore dhe higjienike. Policia dhe Inspektorati komunal i ka ndalu hyrje-daljet në vende publike, nëpër sheshet parqet që ka pasur më shumë njerëz. Qytetarët po e respektojnë lirinë e lëvizjes dhe nuk po dalin pa nevojë edhe në kohën kur lëvizja është e lejuar”, ka thënë Dobra për Express.
Dobra ka deklaruar se në Qendrat e Mjekësisë Familjare mungojnë materialet shpenzuese.
“Dy Qendra të Mjekësisë Familjare që qëndrojnë hapur 24 orë Komoran dhe Drenas kryejnë shërbimet ndaj qytetarëve. Me pajisje nuk qëndrojmë mirë, sepse niveli qendror nuk i ka furnizuar aq sa duhet, por jemi në pritje që gjatë kësaj jave të furnizohemi. Ka nevojë për mjete mbrojtëse për personelin mjekësor, material shpenzuese”, ka thënë Dobra.
Ndërkohë, deri më tani në Kosovë numri i të prekurve me virusin COVID-19 ka shkuar në 165. Deri më tani janë shëruar 25 persona, derisa 3 kanë humbur betejën me koronavirusin.