Në intervistën e tij të parë që nga arratisja dramatike, ushtari Chong Song thotë se nuk është penduar që është arratisur nga vendi i tij. Ai u arratis nën breshërinë e plumbave dhe shpëtoi mrekullisht i gjallë. Duke dhënë një intervistë për një gazetë japoneze, ai deklaroi se moshatarët e tij nuk janë përkrahës besnikë të liderit Kim Jong-un.
Ikja dramatike e ushtarit korean vitin e kaluar përmes zonës së demilitarizuar kufitare ishte kryetitull i mediave. Ai kishte arritur të mbijetonte, por ishte plagosur rëndë nga ushtarët kufitarë të Koresë Veriore. Ndodh shumë rrallë që ushtarët e Koresë Veriore të dezertojnë në brezin kufitar, aty ku forcat ushtarake të të dy vendeve ndodhen përballë njëra-tjetrës.
Gazeta japoneze raporton se ushtari 25-vjeçar është djali i një gjenerali. Ndonëse thotë se i përkiste një shtrese të lartë të shoqërisë së shtetit ku jetonte, ai nuk ndiente simpati për pushtetin komunist. “Njerëzit në Korenë Veriore, e sidomos të rinjtë, janë indiferentë ndaj njëri-tjetrit, ndaj politikës dhe ndaj udhëheqësve, prandaj nuk mund të kenë besnikëri”, tha ai.
Pasi kishte një zënkë me shokët, thotë se kishte filluar të pinte. Përderisa po kthehej në bazën ku patrullonte, ai e theu rrugën dhe vazhdoi të ikte. “Frikësohesha se do të ekzekutohem nëse kthehem, prandaj vendosa që ta kaloj kufirin. Ndoshta 80% e gjeneratës sime janë indiferentë ndaj pushtetit. Është e natyrshme që të mos jenë besnikë sepse pushteti merret si dhuratë, pavarësisht të paaftësisë së tyre për ta ushqyer popullin”, shtoi ai.
Gjendja politike në gadishullin korean është rënduar pas kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se vendi i tij do të përgjigjet me sulme të ashpra nëse Koreja Veriore bën ndonjë provokim me raketa, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.