Ekstremizmi dhe radikalizmi fetar janë faktorë të rrezikshëm nga të cilët nuk është e përjashtuar as Kosova. Por në Kosovë mbizotëron një tolerancë e lartë fetare.
Kështu u tha sot në konferencën dy ditore “Së bashku kundër ekstremizmit të dhunshëm” e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të shtetit dhe të konfesioneve fetare.
Nikoqiri i kësaj konference, ministri i punëve të Brendshme Skënder Hyseni tha se ekstremizmi dhe radikalizmi mund të luftohen vetëm përmes koordinimit të ngushtë ndërkombëtar. Megjithëse edhe Kosova nuk është përjashtuar nga kjo dukuri e keqe, sipas Hysenit, ka përjashtim në shumë pikëpamje.
Me këtë rast ministri Hyseni ka përmendur tolerancën fetare që mbretëron në Kosovë dhe angazhimin e të gjithë në këtë çështje
“Ne e kemi ardhur në përfundim se sekularizmin, harmoninë ndërfetare, mirëkuptimin ndëretnik, ndërkulturor në Kosovë që pasqyrohet aq qartë edhe në Kushtetutën e Kosovës do të mund ta ruajmë duke e angazhuar gjithë spektrin social e politik në Kosovë”, tha Hyseni.
Ministri i Punëve të Brendshme radikalizmin dhe ekstremizmin nuk e ka lidhur me fenë islame pasi që kjo fe sipas tij është fe e paqes dhe si e tillë duhet të ruhet.
“Feja islame është fe e mirë, predikon paqe dhe të tillë e kemi pas ne në Kosovë dhe do të vazhdojmë dhe duhet ta ruajmë si të tillë me çdo kusht. Prandaj unë përgëzoj të gjithë ata imamë disa nga ta të pranishëm këtu që kanë bërë aq shumë punë për ta ruajtur frymën konstruktive dhe pozitiviste të fesë islame”, ka deklaruar Hyseni.
Duke folur në konferencë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se janë bërë përpjekje që të zbulohet se cilët janë faktorët që çojnë në ekstremizëm dhe radikalizëm të dhunshëm, mirëpo një konstatim i tillë është vështirë të vihet.
“Të gjithë ne vlerësojmë se ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë dukuri të cilat e rrezikojnë shoqërinë dhe të cilat por rrezikojnë dhe po ashtu mund të pajtohemi se si të tilla as ekstremizmi e as radikalizmi nuk e kanë një atdhe, nuk e kanë një lokacion ët caktuar por janë çështje të cilat po e mundojnë sot botën bashkëkohore por e kanë një mbiemër të përbashkët që paraqesin rrezik për njerëzimin, paraqesin rrezik për paqen dhe sidomos për njerëzit e pafajshëm”, tha Mustafa.
Sipas tij shteti po punon që të merren masa dhe të punohet edhe me vendet fqinje që bashkërisht të luftohet kjo dukuri.
“Ne jemi në një rrugë të mirë si Kosovë sepse jemi të përkushtuar për integrime evropiane, për integrime euroatlantike për bashkëjetesë me të gjitha komunitetet. Kemi një tolerancë të mirë fetare që është kontribut sidomos i bashkësive fetare edhe asaj myslimane edhe katolike edhe ortodokse dhe bashkësive tjera sepse kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes tyre por mund të themi se kemi pas një bashkëpunim të shkëlqyer edh në këtë aktivitet të betejës tonë që ta mundim ekstremizmin, ta mundim radikalizmin deh të bëjmë një punë të suksesshme të përbashkët”, deklaroi Mustafa.
Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, lavdëroi institucionet e Kosovës për angazhimin e tyre për ta luftuar këtë dukuri që sipas tij është bërë kërcënimi kryesor në botë.
“Radikalizmi dhe ekstremizmi janë bërë kërcënimi kryesor mund të them numër një për paqe në botë. Kosova nuk është përjashtim dhe nuk do të bëjë përjashtim në këtë drejtim. Viteve të shkuara kemi parë të rinj që janë angazhuar në grupe ekstremiste terroriste jashtë vendit, kryesisht në Siri dhe në afërsi të saj, natyrisht është e qartë që kanë qenë të inspiruar nga një ideologji radikale që ka motorizuar luftëtarë të huaj kudo në Evropë. Institucionet e Kosovës janë ngritur dhe kanë qenë në detyrë të kësaj duke u përballuar, institucionet janë angazhuar në intervenimin ndaj dhe kundër këtyre grupeve dhe posaçërisht në Kosovë shumë janë arrestuar për inspirim dhe përfshirje në këtë grup”, tha Braathu.
Konferenca për ekstremizmin e dhunshëm e cila ka filluar sot do t’i vazhdojë punimet edhe nesër ku do të shkëmbehen përvoja nga vendet dhe institucionet të ndryshme rreth ekstremizmit dhe radikalizmit fetar./KP