Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, është takuar sot me ushtruesin e detyrës së shefit të EULEX’it, Bernd Thran. Sipas komunikatës për media, Hyseni dhe Thran biseduan për gjendjen e sigurisë në Kosovë si dhe për vazhdimin e mandatit të këtij misioni në Kosovë.
Sipas Hysenit dhe Thran në Kosovë ekziston një situatë e qetë dhe e sigurt për të gjithë qytetarët. Kurse sa i përket mandatit të vazhdimit të EULEX”it u fol për aksionet e përbashkëta me Policinë e Kosovës.
Ndërkaq, Hyseni deklaroi se Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë e gatshme sa herë që kërkohet nga ky mision që ta mbështesë në ruajtën e rendit dhe sigurisë në vend dhe në luftimin e krimit të organizuar./Express/
Njoftimi i plotë nga Ministria e Punëve të Brendshme:
Ministri Hyseni priti në takim ushtruesin e detyrës së shefit të EULEX-it
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni ka prit në takim ushtruesin e detyrës së shefit të EULEX-it në Kosovë, z. Bernd Thran.
Në këtë takim u bisedua lidhur me gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, që u vlerësua nga bashkëbiseduesit se ekziston një situatë e qetë dhe e sigurte në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu në këtë takim u bisedua lidhur me vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, për fushat e bashkëpunimit që ka ky mision me institucionet e sigurisë në Kosovë, ku dihet që shumicën e aksioneve operacionale policia e EULEX-it i bënë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
Ministri Hyseni premtoi përkrahjen e tij për misionin e EULEX-it dhe theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë e gatshme sa herë që kërkohet nga ky mision që ta mbështesë në ruajtën e rendit dhe sigurisë në vend dhe në luftimin e krimit të organizuar.