Aktuale

Hyseni: Do ta shërojmë shëndetësinë që e kanë sëmurë për 18 vjet

Pas më shumë se 35 vitesh përvojë pune si doktor i specializuar në dy fusha të mjekësisë, në Pulmologji dhe Rradiologji, përmes vendimmarrjes synon të jap kontributin e tij në shëndetësi.

Është doktori Shyqeri Hyseni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që kandidon për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Hyseni, si doktor me përvojë të gjatë pune që është, vlerëson se sistemi i shëndetësisë në Kosovë është në gjendje të mjerueshme. Ai premton që do të shërojnë fillimisht shëndetësinë në mënyrë që të shërohen edhe të sëmurët.

“Unë qytetarit i premtoj që shëndetësinë të cilën na e sëmurën qe 18 vjet do ta shërojmë. Së pari do ta shërojmë shëndetësinë, pastaj do ta shërojmë të sëmurin. Do të thotë nuk do të lejojmë asnjëherë që nëna në lindje të vdes në maternitet. Nuk do të lejojmë që fëmija duke lindur të bie në pllaka të korridorit. Kjo është tmerruese. Dhe ajo që është më e thjeshta dhe që vazhdimisht po ua them qytetarëve është që ju e keni provuar një pushtet për 18 vjet dhe e keni parë se rezultatet janë minimale. Ju e keni parë një arsim që sipas PISA-s, e dini, qytetari i di shkronjat, di të lexojë, por nuk di të interpretojë se çka ka lexuar. Ne nuk do të lejojmë ashtu”, thotë Hyseni.

Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje në strategjinë e saj sa i përket shëndetësisë, ka paraparë zhvillimin e saj, duke filluar nga shëndetësia primare, sekondare dhe terciare.

Në intervistën e dhënë për KosovaPress, Hyseni tregon arsyen se pse ka zgjedhur të jetë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Programi i Lëvizjes Vetëvendosje është ai që gjen prehje në shpirtin tim dhe unë tani jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, jam anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, njëherit jam përgjegjës i komitetit për shëndetësi”, tha ai ndërsa tregoi se më herët kishte qenë ndër nismëtarët e themelimit të LDK-së në Ferizaj.

Edhe pse ndër themeluesit e saj, Hyseni kishte vendosur të largohet nga LDK-ja për shkak të parregullsive aty. Siç thotë ai, si i vogël ishte njohur për shpirtin e tij rebel, dhe si i tillë kishte vazhduar të mos pajtohet me qëndrime të gabuara në jetë. Ai nuk ishte pajtuar kurrsesi me mënyrën se si LDK-ja nuk kishte pasur guximin për të bërë gjërat që duhen bërë.

Kontributi i tij në shoqëri si doktor që është, është i pakursyer dhe i pazëvendësueshëm. E si specialist që është, Hyseni thotë se nëse zgjidhet deputet në Kuvendin e Kosovës, kontributi i tij më i madh do të jetë në sistemin e shëndetësisë.

Ai është i bindur se me programi i Vetëvendosjes sjellë kuadro të reja në shëndetësi dhe zvogëlon numrin e pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendit.

“Do të jemi gjithmonë konsekuent në ngritjen e nivelit të mjekëve të punëtorëve shëndetësor në specializimin e tyre në vende të ndryshme për ato specializime të cilat Kosova nuk i ka. Pastaj, ata do të na shpërbejnë për trajnimin e mjekëve të tjerë që pacientët t’i dërgojmë sa më pak jashtë, ose të mos I dërgojmë fare. Nuk do të jetë shëndetësi ku dikush mund të shkoj me aeroplan në Vjenë apo Stamboll, nëse do të shkohet, do të shkojnë edhe të varfërit që nuk I njeh pushteti. Por ne pretendojmë se nuk ka shkuarje jashtë, do t’i specializojmë kuadrot dhe qytetari do të jetë në rend të parë”, thotë kandidati për deputet.

Lëvizja Vetëvendosje pretendon që ta forcojë shumë mjekësinë publike dhe të ngrisë cilësinë e shëndetësisë në Kosovë.

Doktori nga Vitia u shpreh të jenë të vetëdijshëm se shëndetësia kërkon kushte dhe investime të shumta, por sipas Hysenit me zbatimin e pikave të programit të Vetëvendosjes me përpikmëri, në Kosovë do bëhet konsolidimi i shëndetësisë.

Premtimi i Hysenit, nëse zë vend në ulëset e Kuvendit të Kosovës, është se përmes një menaxhmenti të mirë do të arrijnë të bëjnë një Kosovë ndryshe.

“Mbi 300 mijë qytetar të janë në varfëri të skajshme, që harxhimet ditore I kanë 1.29 euro, llogaritni se në çfarë gjendje është Kosova. Do të bëjmë çmos edhe për kategoritë e tilla. Kemi paraparë shtesën prej 10 euro për fëmijët prej zero deri në 15 vjet. Pastaj do të rrisim pensionet e pleqërisë që do të arrijnë shumën deri në 150 euro, pastaj për pensionet kontributdhënëse deri në 280 euro e kështu me radhë. Kjo sepse në strategjinë tonë ekziston ajo se duhet të jemi shtet social”, premton ai.

Sa i përket nominimit për kandidat në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Hyseni me modesti thotë se kënaqësia e tij për këtë qëndron në mundin që ka bërë që të rritet numri i qytetarëve që janë me Vetëvendosjen.

Përderisa thotë se e bënë të ndjehet mirë fakti se pacientët e tij dhe gjithë ata që e njohin e mbështesin rrugëtimin e tij për deputet. Madje ai shton se është madhështi kur të tjerët i njohin dhe vlerësojnë potencialet e individit.

Shyqeri Hyseni, është kandidat për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje dhe mban numrin 82./KP