Aktuale

Hyseni: Serbia është fajtore për ikjen e qytetarëve nga Kosova

Skënder Hyseni fajëson Serbinë për ikjen e dhjetëra-mijëra qytetarëve të Kosovës për në vendet e Evropës në vitin 2014.

Sipas Hysenit për atë valë të madhe të migrimit shkaktar ishte Serbia pasi që ua ka mundësuar qytetarëve që të dalin jashtë Kosovës me një biletë që ka kushtuar vetë 15 euro.

Ministri i Punëve të Brendshme këto deklarata i ka thënë në lansimin e fushatës vetëdijësuese për parandalimin e migrimit të paligjshëm.

Ministri Hyseni tha se me anë të kësaj fushate qytetarët duhet ta kuptojnë se ky migrim është i paligjshëm dhe nuk guxon të ndodhë.

“Kujtoj për një periudhë të shkurtë kohore ia dolëm ta vëmë nën kontroll çështjen e migrimit të paligjshëm. Këtë valë dhe numër të madh të emigrantëve të paligjshëm nga Kosova e mundësoi në masë të madhe marrëveshja për qarkullim të lirë mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë që është marrëveshje e mirë, por që marrëveshjet e mira ndonjëherë kanë efekte anësore edhe negative, dhe një efekt anësor negativ ishte krijimi i një kanali përmes Serbisë që u mundësonte qytetarëve të Kosovës të arrijnë në një kufi të jashtëm me vetëm një biletë autobusi”, tha Hyseni.

Hyseni tha se Kosova ka përmushur shumicën e kritereve për liberalizim të vizave ndërsa ka mbetur vetëm edhe ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi e që ministri i MPB-së shpreson që edhe kjo do të ndodhë shpejt.

Në këtë ngjarje ishte edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova e cila tha se numri i qytetarëve të Kosovës që kërkojnë azil në vendet e BE-së ka rënë dukshëm për dallim nga viti 2014.

Pavarësisht kësaj Apostolova tha se Kosovën e presin ende sfida të mëdha ndërsa përsëriti se BE-ja do ta ndihmojë atë në integrimin evropian.

“Bashkimi Evropian ka punuar shumë në dy vitet e fundit për të ardhur në përfundimin me një zgjedhje substanciale dhe mbrojtëse për krizën e migrimit e cila ka prekur shtetet anëtaret BE-së por gjithashtu edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse Kosova nuk ka qenë e prekur në mënyrë të konsiderueshme nga kriza e refugjatëve, ajo është ballafaquar me një fluks të madh të trans-emigracionit të qytetarëve të Kosovës në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015. 70 mijë qytetarët të Kosovës kanë kërkuar azil në shtetet anëtare të BE-së vetëm në vitin 2015. Ne e pranojmë se Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje për ta adresuar këtë fenomen. Edhe pse numri i qytetarëve të Kosovës të cilët kanë kërkuar azil në vitin 2016 ka rënë ende mbet një numër i lartë me 11 mijë kosovarë që kërkojnë azil në BE. Kjo tregon se ende kemi shume sfida përpara dhe ne duhet t’i adresojmë ato. Është shumë e rëndësishme që të informojmë qytetarët e Kosovës për rreziqet e migrimit të parregullt. Kjo kampanjë është një rikujtim i shumë anëve pozitive të jetës në Kosovë dhe të mundësive që duhet t’i shfrytëzojmë” tha Apostolova.

Ndërsa ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems tha se kjo është një detyrë jo shumë e lehtë dhe e cila kërkon shumë përkushtim.

Willems gjithashtu tha se shteti i Holandës është shumë i lumtur që është partner kryesor në këtë projekt.

“Fuqizimi i institucioneve të Kosovës në menaxhimin efektiv të migrimit është njëra nga fushat e procesit të afrimit në BE. Shteti i Holandës është i lumtur që është partneri juaj kryesor në këtë projekt dhe në këtë proces. Rol vendimtar në këtë proces natyrisht luan përkushtimi, pronësimi dhe implementimi i reformave nga institucionet e Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të sigurojmë qëndrueshmëritë e reformave dhe për një të ardhme të mirë për kosovarët. Kjo detyrë nuk është e lehtë, procesi ka nevojë për shumë përkushtim, për shumë udhëzime dhe kjo është arsyeja pse në jemi këtu së bashku me BE-në për ta ndihmuar Kosovën drejt kësaj rruge… Qytetarët kanë të drejtë të dinë në çfarë rruge është drejtuar ky shtet dhe cilat janë rreziqet nëse ata bëjnë diçka që nuk është legale”, tha ambasadorja e Holandës.

Fushata është ndihmuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa implementohet nga Holanda si partner kryesor dhe Austria e Suedia si partnere mbështetës në partneritet me Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim./kp