Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, priti sot në takim njoftues shefen e re të Zyrës së BE-së në Kosovë Natalia Apostolova.
“Gjatë takimit u bisedua për proceset që kanë të bëjnë me avancimin e rrugës evropiane të Kosovës. Në veçanti u bisedua për procesin e liberalizimit të vizave, si një proces shumë i rëndësishëm për Kosovën për plotësimin e të gjitha kritereve që dalin nga ky proces.” thuhet në komunikatën për media.
Ministri Hyseni po ashtu e njoftoi për punën që po bën Ministria e Punëve të Brendshme sa i përket sigurisë së përgjithshme në ruajtjen e rendit dhe ligjit në Kosovë, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit.
Ndërsa shefja e Zyrës së BE-së/PPBE, Nataliya Apostolova në takim e vlerësoi bashkëpunimin e mirë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar atë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në parandalimin e terrorizmit dhe rreziqeve të sigurisë, në përputhje me Strategjinë e miratuar së fundmi nga BE-ja.