Aktuale

Hyseni: Gratë police rol të rëndësishëm në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës, po mbanë punëtori për rolin e grave në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Në këtë punëtori mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, i cili vuri në dukje se gratë kanë rol shumë të rëndësishëm për mënyrën se si i shtrojnë problemet, sidomos trafikimit me qenie njerëzore, sepse ato personalisht preken nga ky fenomen.

“Trafikimi me qenie njerëzore është problem global, vitin e kaluar kam vizituar të gjitha rajonet e Kosovës, ku kemi diskutuar për fenomenin e trafikimit dhe kam kërkuar përfshirjen e të gjithë akterëve, pasi ne si shoqëri duhet të bëjmë progres sidomos në parandalim”, tha ministri Hyseni.

Ministri Hyseni theksoi se gruaja në Policinë e Kosovës ka një rol shumë të rëndësishëm, pavarësisht se Policia e Kosovës kryen punën e saj në mënyrë efikase, po janë hallkat tjera si Prokuroria dhe Gjyqësori, që nuk e kanë kryer punën e tyre si duhet, edhe atëherë kurë kanë dënuar ndonjë trafikant, dënimet kanë qenë të pa përfillshme.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE, Ake Roghe, theksoi se  luftimi më i mirë i trafikimit me qenie njerëzore, është që të punohet në parandalim dhe për këtë ka nevojë për përfshirjen e të gjithë shoqërisë.

Ai tha se misioni i OSBE-së do të vazhdojë të përkrahë aktivitete të tilla në bazë të specifikave të punës që bëni, duke përfshirë këtu edhe shoqërinë civile që ka rol të rëndësishëm për luftimin e kësaj dukuri negative./KosovaPress/