Aktuale

Hyseni: Demarkacioni ka mbetur i vetmi kriter për liberalizim të vizave

Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar sot fushatën e vetëdijesimit për parandalimin e migrimit të paligjshëm të qytetarëve të Kosovës.

Me këtë rast ministri Skender Hyseni tha se Kosova në fund të vitit u gjet nga një shpërthim i një migrimi të paligjshëm.

Sipas tij kanali me efekt anësor për Kosovën ishte Serbia dhe siç tha Hyseni, MPB mbetet e mobilizuar që mos të përsëritet ajo valë migrimi.

Hyseni tha se Kosova ka përmbushur shumë kritere për liberalizim të vizave dhe vetëm njëra nga to ka mbetur ende pa u plotësuar e që është ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi për të cilin tha se do të bëhet shumë shpejt.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosove Natalia Apostolova tha se 70 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në shtetet e Evropës gjatë vitit 2014. Sipas saj ky numër është zbritur në vitin 2016. Por sipas saj kjo tregon se ka ende sfida para shtetit për t’u integruar në Bashkimin Evropian./KosovaPress/