Aktuale

Hyseni: Anëtarësimin në Interpol e ka vështirësuar aplikimi i Palestinës

Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni gjatë një diskutimi në forumin ‘Fol Hapur’ ka thënë se është e papranueshme vazhdimi i ndalimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj edhe më tutje në Francë. Ai tha se Haradinaj ka dëshmuar disa herë pafajësinë në Hagë.

Ndalimi i Haradinajt, sipas tij, nuk ka zbehur përkushtimin dhe punën e institucioneve të Kosovës, përkundrazi ka shtuar detyra.

Hyseni theksoi se MPB-ja është duke u angazhuar për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, por janë duke i pritur kriteret e reja pas aplikimit që ka bërë Kosova në vitin 2015.

 

“Shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim e ka komplikuar në masë të madhe aplikimi i  Palestinës. Andaj, ne kemi bërë gjithë atë që është e mundur, madje më shumë se që është kërkuar.  Mirëpo, nuk e kemi fuqinë, dhe duhet ta themi haptas që t’i ndryshojmë kontalacionet ndërkombëtare globale. Në vend që të procedojë Asambleje e Përgjithshme shqyrtimin e kërkesave për anëtarësim, ajo ka vendos që të emëroj një këshilltar ndërkombëtar i quajtur Hans Corael, suedez, i cili duhet të hartojë një kornizë kriteresh për anëtarësim dhe t’ia praqes Komitetit ekzekutiv për aprovim. Dhe pikërisht kjo çështja është në këtë fazë tash… ne jemi tash në pritje të kritereve të reja dhe shumë shpejt do të marrim vesh nëse ato do të jenë të favorshme”, deklaroi ministri Hyseni.

Në këtë diskutim Hyseni ka mohuar akuzat në media se kinse ministri i MPB-së dhe policia e Kosovës ka qenë e informuar dhe ka ndikuar në incidentin e armatosur që ka ndodhur në Kumanovë në vitin 2015  ku janë vrarë 10 persona, shumica nga ta nga Kosova.

Sipas tij, kjo është spekulim i pastër, megjithëse ai tha po të kishte informacione do të bënte përpjekje me ndalua një gjë të tillë në Kumanovë.

 

“Jo, nuk është e vërtetë ua them me bindje të plotë. Andaj, unë nuk e kam parë emisionin të cilit po i referoheni dhe jam habitur kur kam dëgjuar. Natyrisht se do të duhej të vazhdoni të insistoni ta kërkoni përgjigjen nga ka buruar ai spekulim, i cili është spekulim i pastër. Mirëpo, kjo nuk më pengon mua që të them që në Ministri të Brendshme dhe unë personalisht ndiej keqardhje të madhe, edhe pse nuk dua t’i komentoj rrethanat se nuk kemi pasur asnjë lloj informacioni çfarë do të ndodhë ose që do të ndodhë diçka e tillë. Asnjë herë nuk kemi pasur informacion të tillë, natyrisht që kemi marr inflamacione çka ka ndodhur pasi ka ndodhur”, theksoi ministri i MPB-së .

Ministri i MPB-së, Skënder Hyseni, ka folur edhe për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, që sipas tij,  duhet të zhbllokohet dhe kjo është përgjegjësi e deputetëve të pozitës dhe opozitës, ngase liberalizimi ndodhë vetëm nëse i hapet rrugë zgjidhjes kësaj vije kufitare.

 

“Është çështje ekskluzivisht në vullnetin e deputetëve kuvendit të Kosovës nëse do ta ratifikojnë një marrëveshje tillë. Ajo marrëveshje e ka fuqinë vetëm nëse ratifikohet ën kuvend , nëse me pyetni mua se a duhet të ratifikohet, unë ju the se po, pa asnjë hezitim, sepse e kam bindjen se është diçka e mirë për Kosovën. Nuk do të duhej ta lëmë në geto popullin e Kosovës në rrafshin e udhëtimit pa viza… Kjo situatë duhet të zhbllokohet dhe deputetët duhet t’i japin përgjigje… Pra, përgjigjja e demarkacionit duhet t’i jepet ose pro ose kundër që të hapet rrugë e zgjidhjes”, tha ai.

Hyseni duke folur për të arriturat në MPB gjatë mandatit të tij  mbi dy vjeçar, tha se me gjithë vështirësitë janë realizuar disa nga objektivat e parapara, mirëpo disa kanë mbetur pa u realizuar si rezultat i procesit të shtet ndërtimit të Kosovës.

Sipas Hysenit integrimi i strukturave në veri të Mitrovicës është e arritur evidente, po ashtu edhe në luftimin e krimit, por tha se jo edhe të kënaqur çdo herë me të arriturat në veri.

 

“Objektivë tjetër ka qenë integrimi i strukturave në veri të Mitrovicës në ato fusha që i mbulon Ministria e Brendshme. Atje rezultatet janë të dukshme, por jo ende të kënaqshme tërësisht”, theksoi Hyseni.

Ministri Hyseni ka theksuar se emërimi i sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme është bërë në harmoni me ligjin në fuqi. /KosovaPress/