Aktuale

Humbi para dy ditësh, gjendet 9 vjeçarja nga Gjakova

Joana Demiri, vajza 9-vjeçare që ishte zhdukur tri ditë më parë është gjetur mbrëmë nga Policia e Kosovës.

Zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj-Beqiri ka konfirmuar për Insajderin se vajza është gjetur mbrëmë.

“Me datë 14.02.2018 pas një pune operativo-hetimore nga sektori i hetimeve të stacionit policor në Gjakovë , e mitura e raportuar si e zhdukur me datë 12.02.2018 është gjetur. E njëjta është në gjendje të mirë shëndetësore dhe gjatë kësaj kohe kishte qenë në përkujdesje të motrës së saj të moshës madhore”, ka thënë Podrimaj për Insjaderin.

Fillimisht babai i 9-vjeçares, Ram Demiri e kishte denoncuar rastin në polici teksa kishte hedhur dyshimet tek vajza e tij e moshës madhore që sipas tij merret me prostitucion.

“Çika e madhe më ka hup para 5-6 muajve, J.D është 21 vjeç u hi në rrugë pa rrugë, u hi në rrugë të mbrapshta. E kam lajmëruar sa herë në polici kanë thanë nuk mundemi me hap rast për to. Po përdor drogë, po merret me prostitucion me tona të këqijat që janë. Janë bo 5-6 muaj që unë nuk ja kam pa fytyrën”, kishte thënë Demiri më herët për express.