Aktuale

Hoxhaj thotë se edhe në dy shtete do të hapen konsullata të përbashkëta

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Tiranë ku po merr pjesë në Samitin e Diasporës, i cili ka mbledhur mëse një mijë pjesëmarrës nga 40 vende të ndryshme të botës. Ai gjatë samitit ka bërë të ditur se do të hapen konsullata të përbashkëta me Shqipërinë në Danimarkë dhe Turqi, shkruan Gazeta Express.

Në samit gjatë fjalës së tij, Ministri Hoxhaj ka theksuar rolin e diasporës shqiptare në zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri. Ai ka thënë se arritjet e shqiptarëve kanë qenë edhe mision i diasporës shqiptare, e cila ka qëndruar pranë bashkëkombasëve të vet historikisht, që nga formimi i shtetit shqiptar, përpjekjet për liri të shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi, përpjekje e cila kulminoi me pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

“Misioneve tona të përbashkëta konsullore, do t’u shtohen së shpejti edhe dy të tjera në Danimarkë dhe në Turqi”, ka deklaruar Hoxhaj.

Pas paralajmërimit të një dite më herët të Presidentit Hashim Thaci, kryediplomati Hoxhaj ka konfirmuar Prishtinën, si nikoqire të Samitit të ardhshëm të Diasporës.