Aktuale

Hoxhaj telefonon homologun kroat, vlerësohen marrëdhëniet e shkëlqyera Kosovë – Kroaci

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun e tij kroat, Davor Ivo Stier, me të cilin kanë folur për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Kroacisë.

Ministri Hoxhaj e ka falënderuar homologun e tij, Davor Ivo Stier, për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Kosovës jo vetëm në shtetndërtimin e brendshëm por edhe në atë të jashtëm. Kroacia, sipas Hoxhajt, mbetet një nga mbështetësit kryesor të Kosovës në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Edhe ministri i Jashtëm kroat ka vlerësuar raportin e shkëlqyer ndërshtetëror me Kosovën dhe ka thënë se ky raport do të thellohet në vazhdimësi. Merret vesh se shumë shpejt do të zhvillohen edhe vizita zyrtare nga ministrat e Jashtëm të të dy vendeve.

Në anën tjetër, Kroacia është rikthyer në top-temën në rajon në 24 orëshin e fundit pasi mësohet se ka bllokuar kapitullin e 26 për hapje të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Mediat serbe kanë raportuar që me të marrë vesh për bllokimin e Kroacisë, kryeministri serb Vucic ka anuluar pjesëmarrjen në takimin që ka pasur me BE-në në shenjë proteste.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm serb ka thënë se është krijuar frymë anti-serbe në Bashkimin Evropian, dhe se ky union po i jep të drejtë vendimi Kroacisë duke u treguar i padrejtë ndaj Serbisë.