Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës në Dubrovnik të Kroacisë, ka thënë se Kosova është një shembull i shtet-ndërtimit dhe angazhimit të saj rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin e kërcënimeve të jashtme.
Duke folur në Forumin Vjetor të Dubrovnikut, Hoxhaj ka theksuar se ka ende probleme ndërshtetërore të pazgjidhura mes vendeve të caktuara të Evropës Juglindore, duke përmendur këtu edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, çështjen mospajtimeve për emrin e Maqedonisë, me Greqinë etj.
“Në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci ku temë kryesore ishte paqja, stabiliteti dhe siguria në Mesdhe, konstatohet nga të gjithë që Kosova është një shembull i shtet-ndërtimit të suksesshëm në planin e brendshëm dhe një shembull i angazhimit të saj rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin e kërcënimeve të jashtme”, tha Hoxhaj.
Për më tepër, Hoxhaj ka folur për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, si dhe për sfidat e sigurisë që ekzistojnë aktualisht. Ai tha se ekzistojnë disa rreziqe që mund të ndikojnë në stabilitetin e Evropës Juglindore, siç janë rritja e nacionalizmit, institucionet e brishta, varfëria, dhe në anën tjetër lufta informative dhe lajmet e rrejshme janë po ashtu cenues të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Këto rreziqe mund të luftohen me institucione të forta dhe me ndihmën e shoqërisë civile dhe medias”, është shprehur ai.
Për dy ditë me radhë, Hoxhaj ka qëndruar në Dubrovnik të Kroacisë ku përveç Forumit të Dubrovnikut sot, ka marrë pjesë në Samitin e SEECP-së gjatë ditës së djeshme.