Aktuale

Hoxhaj kërkon nga homologu i tij holandez mbështetje për liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar homologun e tij në Mbretërinë e Holandës, Bert Koenders.

Sipas njoftimit për media, kryediplomati Hoxhaj e ka njoftuar ministrin holandez me prioritetet e Republikës së Kosovës në politikën e jashtme, duke e vënë theksin në angazhimin për rritjen e njohjeve të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.

Duke e falënderuar ministrin Koenders për përkrahjen e pakursyer të Holandës në shtetndërtimin e Kosovës dhe në procesin e integrimit evropian, Hoxhaj ka theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimin bilateral.

“Në takimin që kisha me ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, biseduam për tri tema kyçe. Së pari, se si ai dhe vendi i tij ta mbështesin Kosovën në liberalizimin e vizave; së dyti, sa herë që Kosova të aplikojë në ndonjë organizatë ndërkombëtare të japë votën pro Kosovës dhe së treti, që të ketë një kaptinë të re të bashkëpunimit përmes organizimit të një forumi të madh të investimeve”, ka thënë ministri Hoxhaj./KosovaPress/