Aktuale

Hoxhaj, Hoti, Krasniqi, Shala, Abrashi, Bajrami e Zharku, ende ministra

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa, ditë më parë mori vendim për emërimin e shtatë ministrave të rinj, për t’i zëvendësuar ata që u zgjodhën deputetë.

Por, në faqen e Qeverisë së Kosovës në internet, ende mbesin emrat e ministrave që tashmë kanë zgjedhur postin e deputetit.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj u zëvendësua me Emanuel Demaj, pasi këtë të fundit e emëroi Mustafa në krye të diplomacisë kosovare. Mirëpo, emri i Hoxhajt vazhdon të mbetet në faqen e qeverisë në internet si kryediplomat i Kosovës.

Njëjtë figuron edhe emri i ish ministrit të Financave Avdullah Hoti, ani pse në vend të tij ka një javë që është emëruar Agim Krasniqi.

Ndërsa, si ministër i Kulturës në faqen e qeverisë në internet ende vazhdon të jetë Kujtim Shala pavarësisht se në vend të tij u emërua Vlora Dumoshi.

Po ashtu edhe Lutfi Zharku ende figuron si ministër i Infrastrukturës, pavarësisht se ai nuk e ushtron më këtë detyrë, pasi këtë e ka marrë Hanefi Muharremi.

Në vend të ministres së Tregtisë Hykmete Bajrami u emërua Valentin Toçi, por emri i Bajramit figuron ende si ministre.

Edhe Memli Krasniqi ende figuron si ministër i Bujqësisë, ndonëse në vend të tij u emërua Kurtan Kajtazi.

Njëjtë sikurse kolegët e tij, edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi figuron si ministër në faqen e Qeverisë, derisa në vend të tij është emëruar Safet Kamberi. /kp