Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj i ka reaguar presidentit serb Aleksandër Vuçiq, dhe të ashtuquajturit drejtor i zyrës për Kosovën në Serbi Marko Gjuriq, pas deklarimeve të këtyre të fundit për intervenimin policor të Kosovës në veri.
Hoxhaj ka thënë se gjuha e përdorur nga ana e Vuçiqit dhe Gjuriqit është shoviniste dhe raciste, duke thënë se aksioni nuk ishte kundër komunitetit serb.
“Gjuha e përdorur ndaj Policisë së Kosovës, nga ana e presidentit serb Vucic dhe e të arrestuarit Gjuriq, është raciste, shoviniste dhe e papranueshme. Ky aksion asesi nuk ka qenë i drejtuar kundër komunitetit serb të Kosovës. Aq më pak, kur Policia e Kosovës është institucion multi etnik, dhe shumë pjesëtarë të saj vijnë edhe nga komuniteti serb.”
Ish diplomati ka shtuar se policia ka zbatuar kushtetutën e Kosovës, dhe se një gjë të tillë do ta bëjnë kurdo, me këdo që shkel kushtetutën e Kosovës“Njësia speciale e Policisë së Kosovës në ndërhyrjen e saj për arrestimin e zyrtarit serb Marko Gjuriq, i cili hyri në Kosovë ilegalisht, të hënën, ka zbatuar kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet dhe marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Edhe njëherë ritheksoj, se kushdo nga zyrtarët serbë që mendon se mund t’i shkelë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel, e ka gabim, dhe të njëjtit do të përgjigjen para ligjit.” ka thënë Hoxhaj.Reagimet e zyrtarëve serb kanë qenë të shumta për arrestimin dhe dëbimin nga Kosova të Gjuriqit, i cili në territorin e Kosovës kishte hyrë pa leje./GazetaBlic/