Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj gjatë raportit të tij para Komisionit për Pynë të Jashtme ka treguar për aktivitetet e ministrisë dhe prioritetet e MPJ-së.
Sipas tij politika e jashtme fillon brenda vendit dhe ekzekutimi ndodh jashtë vendit.
Hoxhaj tha se këto katër muajt e fundit ka bërë përpjekje maksimale të ketë bashkëpunim me çdo institucion të Kosovës.
“Ky është një lloj gjysmë mandati i imi. Nuk mund të them se do të kem prioritete më të veçanta se ato që janë paraparë në planin qeverisës 2014. Në ditët e fundit në mënyrë intensive jemi marrë me arrestimin e Nehat Thaçit. Kemi bërë dhe do ë bëjmë çdo përpjekje që Thaçi të lirohet sa më shpejt”, tha Hoxhaj.
Ai ka treguar se është formuar një Taske Force për ta mbështetur drejtorin e Policisë së Kosovës në Mitrovicë që është arrestuar nga policia serbe duke hyrë në Serbi.
Hoxhaj tha se në dy- tri javët e fundit ka një agjendë provokuese të Serbisë në rajon, ndërsa ka treguar po ashtu për ndaljen që të hyjë në Kosovë të drejtorit të Zyrës serbe për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
“Jam i gatshëm që edhe në të ardhmen nëse Gjuriq sillet në këtë formë të sillemi në mënyrë të njëjtë. Gjuriq gjate vizitave nuk e përfill shtetin dhe policinë e Kosovës”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj ka kërkuar mbështetje nga institucionet e Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave.
Edhe Hoxhaj sikurse zyrtarët tjerë të Qeverisë ka deklaruar se kriter kryesor për liberalizim është Demarkacioni me Malin e Zi./KosovaPress/