Aktuale

Hoxhaj dhe Hyseni: Po bëjmë përpjekje për lirimin e Thaçit

Ministri i Punëve të jashtme Enver Hoxhaj dhe ai i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, deklaruan para kabinetit qeveritar, se po japin maksimumin, që drejtori i policisë Nehat Thaçi të lirohet sa më shpejt.

Hoxhaj tha se që nga dje janë marrë intenzivisht me këtë rast, duke pohuar se raste të tilla janë të papranueshme për Qeverinë e Kosovës.

“Ne jemi marrë intensivisht dje me rastin e arrestimit të drejtorit të policisë së Mitrovicës në jug, zotin Nehat Thaçi. Jemi marrë edhe në orët e hershme të mëngjesit. Zakonisht në kohë të tilla nuk bëjmë deklaratat për opinion publik. Se nuk është në natyrën e MPJ-së që paralelisht me angazhimin diplomatik të bëjë deklaratat në proces. Por kryeministër dua t’iu siguroj edhe ju edhe qytetarët, se e kemi dhënë maksimumin prej anës sonë. Natyrisht se raste e tilla janë të papranueshme për ne si Qeveri e Republikës së Kosovës. Sikurse janë të papranueshme rritja e numrit të kërkesave nga ana e Serbisë në kuadër të Interpolit, ku shpesh herë qytetarët e Kosovës, pa asnjë të drejtë ndalen në kufij të shteteve fqinje”, tha Hoxhaj.

Edhe ministri Skënder Hyseni tha se është e papranueshme, që në listat e Interpolit të figurojnë qytetarët e Kosovës që kane marrë pjesë ne luftë.

“Gjatë gjithë ditës dje kemi koordinuar përpjekjet që në kanalet diplomatike, përmes MPJ-së që është instrument i shtetit, të interesohemi dhe të bëjmë që i arrestuari, në këtë rast komandanti i policisë në Mitrovicë te lirohet sa më shpejte. Ne bazë te informacioneve që kemi nuk ka asnjë mbështetje ligjore për mbajtjen e tij në arrest. Dje vërtetë kemi qenë në presion të madh të opinionit, që të deklarohemi ndërkohë që bëheshin të gjitha përpjekjet dhe po vazhdojnë të bëhen përpjekjet, për lirimin e tij. Është e pavend të bëjmë deklarime publike, që mund ta vështirësojnë gjitha përpjekjet, për lirimin sa më të shpejtë të zotit Thaçi. Është e papranueshme që në listat e Interpolit të figurojnë qytetarët e Kosovës që kane marrë pjesë ne luftë”, tha ai./KP