Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në Vjenë, në konferencën ndërkombëtare dyditore, dedikuar Strategjisë për të ardhmen e Evropës që organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Austrisë, me moton “Go West – Western Balkan”, ka theksuar se procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.“Besoj që institucionet e BE-së, do të vazhdojnë të bëjnë për perspektivën evropiane të vendit tonë, si për të gjithë rajonin, perspektivë dinamike, konkrete dhe e arritshme”, ka theksuar Ministrja Hoxha, duke shtuar se për Kosovën, rruga është e qartë, anëtarësimi në BE me besimin se Bashkimi Evropian duhet të përqendrojë politikën e jashtme në procesin e zgjerimit”.“Politika e zgjerimit të BE-së, duhet të shihet si një mekanizëm për ta bërë familjen e BE-së më të plotë dhe më të qëndrueshme. Ne presim që institucionet e BE-së do të sigurojnë një rrugë të qartë të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në perspektivën e BE. Konsideroj se në këtë fazë, uniteti duket më i rëndësishëm se kurrë”.
Në këtë proces ka shumë sfida dhe mundësi, theksoi Ministrja Hoxha, duke vënë në pah se institucionet e Kosovës dhe të BE-së duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat dhe për të përdorur mundësitë duke ri-theksuar perspektivën e Kosovës në BE, si e vetmja rrugë përpara për Kosovën, njofton Klan Kosova.“Ne presim që Kosova të jetë gati në të njëjtën kohë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me BE-në. Perspektiva e BE-së duhet të shihet në të njëjtën mënyrë për tërë Ballkanin Perëndimor. Kosova nuk është ndryshe nga shtetet tjera dhe planet e zgjerimit duhet të përfshijnë Kosovën. Qytetarët e Kosovës shpresojnë të jenë pjesë e familjes së BE-së. E vetmja mënyrë që rajoni të jetë i qëndrueshëm është përfshirja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në një paketë në planet për zgjerim. Kosova nuk duhet të jetë e izoluar apo e ndarë nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”.Në këtë konferencë ndërkombëtare, Hoxha po merr pjesë edhe në cilësi të panelistës dhe tryeza të diskutimeve dhe punëtorive, dedikuar Strategjisë për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe perspektivës së zgjerimit në vendet e Ballkanit perëndimor.