Aktuale

Hoxha: Lufta e korrupsionit nuk është betejë e lehtë, por do ta fitojmë

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha sot ka marr pjesë në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me temën “Luftë për Luftën kundër Korrupsionit” e mbështetur nga Ambasada e Britanisë në Kosovë.

Ministrja Hoxha tha se fuqizimi i sundimit të ligjit është e vetmja rrugë për të ndërtuar një shtet ligjor dhe ndërtimi i shtetit ligjor do të fuqizojë edhe pozitën e Kosovës duke realizuar me sukses procesin euro integrues.

“Efikasiteti i sistemit të drejtësisë është qenësor për t’u siguruar qytetarëve qasje të barabartë në drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.

Ministrja Hoxha shtoi se prioritet madhor gjatë këtij mandati, është lufta kundër korrupsionit, “unë jam zotuar se do të angazhohem për të dinamizuar proceset dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe përmirësimi i legjislacionit dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjit është një ndër hapat në drejtim të fuqizimit të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, tha Hoxha.