Aktuale

Hoxha kërkon që dikush të përgjigjet për vrasjen e babait të tij në luftë

Enver Hoxha është djali i një prej të vrarëve gjatë luftës së Kosovës, i cili në një intervistë ka akuzuar Fatmir Limajn se ka përgjegjësi për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit. Enver Hoxha tregon se nuk ka reshtur se kërkuari drejtësi për 18 vjet për babanë e vrarë gjatë luftës, Ramizin dhe thotë se po shpreson se është afër ditës kur do ta shoh dikë para drejtësisë për vrasjen pa gjyq të të atit të tij, më 2 tetor 1998.

“Fatmiri (Limaj v.j.) ka përgjegjësi për vrasjen e babës tem”, thotë Enveri, teksa thithë fortë cigaren dhe pinë kafe afër Prokurorisë Speciale.shkruan Insajderi.com

Ish-komandant Çeliku nuk është i dyshuar për kryerjen e ekzekutimit. Mirëpo, po konsiderohet përgjegjës për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit. Limaj ndodhej në atë zonë kur kishte ndodhur vrasja e dyfishtë.

Enver Hoxha ka publikuar edhe një letër e shkruar me dorë qe sipas tij i ishte lënë Hoxhës afër trupit. Me të konstatohej se ishte bashkëpunëtor i armikut.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Drejtoria e Shërbimit të Policisë Sekrete, në emër të popullit shpall këtë fletekzekutim: për shkak të bashkëpunimit me okupatorin, ndjelljes së frikës, panikës dhe urrejtjes, në emër të popullit shqiptar dhe në emër të luftës tonë çlirimtare dënohet me vdekje Ramiz Hoxha – Bellanicë si tradhtar i kombit. Fati i tillë do t’i pret çdo tradhtar tjetër”, shkruan në fletekzekutimin që i ishte lënë në trup Ramiz Hoxhës, më 2 tetor 1998.

Disa ditë më vonë ishin arrestuar dy aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shtabi i Përgjithshëm kishte lëshuar komunikatë për këtë. Konfirmonte vrasjen e Hoxhës dhe Binishit.

“Policia Ushtarake e nënzonës operative të Pashtrikut me datën 30. 10. 1998 ndërmori masën e arrestit ndaj Jakup Kastratit nga fshati Turjakë të Komunës së Malishevës, kryetar i LDK-së, Dega në Malishevë dhe Cenë Deskut, nga fshati Siqevë me vendbanim në Malishevë, nënkryetar i kësaj dege”, shkruan në komunikatën e Shtabit të UÇK-së.

“Në bazë të të dhënave të Shërbimit informativ të UÇK-së të lartpërmendurit kanë propaganduar për dorëzimin e armëve në bashkëpunim me kolaboracionistët, Selman Binishi nga fshati Banjë dhe Ramiz Hoxha nga Bellanica, kohë më parë i ekzekutuar nga UÇK-ja si dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me Agim Krasniqin, anëtar i Kryesisë së LDK-së i cili shërbimit informativ të UÇK-së i është i njohur si inspirues i luftës speciale kundër UÇK-së dhe nismëtar i njëfarë policie autonomiste të Kosovës”, thuhet në tej në komunikatën numër 4.

Drejtoria Policisë Ushtarake të UÇK-së thoshte se sektori i hetuesisë, është duke kryer hetime kundër të arrestuarve, Jakup Kastrati dhe Cenë Desku në burgun hetues numër 3.(Tekstin e plotë mund ta lexoni në insajderi.com)