Aktuale

Hoxha kërkon nga Austria mbështetje për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha po qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë, me ç’rast ka takuar z. Peter Goldgruber, sekretar i shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Austrisë.
Në këtë takim ministrja Hoxha kërkoi përkrahjen e Austrisë për votimin në Këshillin e Ministrave për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Përkrahja e Austrisë, për procesin e liberalizimit te vizave është e domosdoshme për shumë arsye”, theksoi Hoxha, duke e njoftuar sekretarin e shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të arriturat në fushën e sigurisë, migracionit dhe në veçanti sigurisë së kufijve.

Në mes tjerash e para e Integrimit Evropian, kërkoi përkrahjen e Austrisë që liberalizimi i vizave të vihet në agjendën e Këshillit të Ministrave sa më parë që të jetë e mundur, përcjell lajmi.net.

Hoxha, po ashtu, theksoi rëndësinë që BE të mbajë premtimet e dhëna dhe pas plotësimit të kritereve të mos i ndëshkoj qytetarët tanë, njofton Ministria e Integrimeve Evropiane.

Sekretari i shtetit, Goldgruber, e konfirmoi mbështetjen për Kosovën në procesin integrues dhe liberalizimin e vizave për mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, duke theksuar se

“Austria do të jetë vazhdimisht krah i fuqishëm edhe për integrimin në organizatat ndërkombëtare”. /Lajmi.net/