Aktuale

Hoxha: Integrimet evropiane, sfidë për Kosovën

Ministrja e re e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se integrimet evropiane janë sfidë për Kosovën dhe pret bashkëpunimin e të gjithë faktorëve që procesi euro-integrues të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët të bëhen pjesë e vlerave integrale të pandashme të Bashkimit Evropian.

Ajo në një postim në Facebook ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për votën dhe besimin e tyre, duke thënë se Qeveria e re është votuar në rrugë demokratike.

Postimi i plotë:

Qeveria e re, e koalicionit fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit, është votuar në një proces demokratik dhe me standardet më të larta. Përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votën dhe besimin e tyre.

Thellësisht falënderoj Kryetarin Veseli dhe Kryesinë e PDK-së, për besimin e dhënë që në mandatin e ardhshëm, të udhëheq sektorin më të ndjeshëm, atë të integrimeve evropiane, synimit thelbësor të institucioneve tona.

Sinqerisht falënderoj stafin civil të Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjithë bashkëpunëtorët që më ofruan bashkëpunim të gjithanshëm, duke shënuar të arritura të mëdha për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Falënderoj po ashtu, partnerët tjerë, shoqërinë civile, gazetarët dhe qytetarët që me kontributin e tyre, ofruan bashkëpunim dhe sugjerime për mbarëvajtjen në Ministrinë e Drejtësisë.

Sfida e integrimeve evropiane, është sfidë e vendit tonë, mirëpres bashkëpunimin e të gjithë faktorëve relevantë që procesi euro-integrues të përshpejtohet dhe përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e vendit tonë të bëhen pjesë e vlerave integrale, të pandashme të Bashkimit Evropian!