Aktuale

Hoti: Zgjedhjet e 11 qershorit, referendum ndërmjet BE-së ose izolimit

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të martën se zgjedhjet e 11 qershorit janë referendum nëse Kosova do të shkojë në Bashkimin Evropian, ose do të mbetet e izoluar.

Ai gjatë një takimi me Degën IV të LDK-së në Prishtinë, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e vetme që ka shkuar në Evropë, pasi është anëtare e Partive Popullore Evropiane dhe ndan vlera të përbashkëta me Evropën.

“Vetëm fitorja e LDK-së dhe partnerëve saj më 11 qershor mund ta dërgojë Kosovën në Evropë, ndërsa alternativa tjetër është vazhdimi i izolimit të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ai është zotuar se koalicioni LDK-AKR-Alternativa do t’ia hapin rrugën Kosovës në integrimet euro-atlantike dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do ta zgjidhin pa e humbur asnjë pëllëmbë të territorit të Kosovës.

“Ne do t’ua sjellim krejt qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave. Ne do ta krijojmë ushtrinë e Kosovës. Ne e dimë si do ta integrojmë Kosovën në NATO dhe në BE. Ne kemi miq të fortë që na besojnë ne dhe duan ta ndihmojnë Kosovën. Por, ne na duhet mbështetje e fortë qytetare më 11 qershor për t’i arritur këto synime”, ka deklaruar Hoti.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, është i vetmi që ofron një program me zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.

“Koalicioni ynë ka program të harmonizuar. Ky program i garanton Kosovës zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, mirëqenie sociale, arsimim e shërbim shëndetësor cilësor. Ne jemi të vetmit që kemi demonstruar vendosmëri dhe jemi të përkushtuar ta luftojmë pa kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta mbrojmë vendin prej terrorizmit”, ka thënë ai.

Halim Muçolli, kryetar i Degës IV të LDK-së në Prishtinë, duke iu referuar koalicionit PDK-AAK-Nisma, ka thënë se kryefjala e “koalicionit të natës për 18 vite ishte frika dhe monopoli”.

“Monopoli në biznese, monopoli në histori, monopoli në patriotizëm dhe monopoli ndaj jetëve tona. Ky monopol do të prishet më 11 qershor me votën e lirë qytetare”, ka thënë Muçolli, duke iu bërë thirrje qytetarëve të dalin masovisht në zgjedhjet e 11 qershorit.