Aktuale

Hoti: Të gjitha analizat na nxjerrin fitues

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti gjatë një tubimi të mbajtur të martën në Shtime, u zotua se nuk do të lejojnë që shtetin dhe shoqërinë e Kosovës ta mbizotërojë të fortit dhe muskujt.

Ai tha se në qeverisjen e këtij koalicioni do të ketë rend dhe ligj për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Nuk do ta lejojmë që shtetin e Kosovës, shoqërinë e Kosovës të kthehet në një shoqëri që të mbizotërojë i forti ku mbizotëron muskuli, do të kthehet në një shoqëri ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe shoqëri e drejt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Hoti.

Hoti para qytetarëve të Shtimes garantoi një shtet demokratik, që punon në interes të qytetarëve e jo në interes të politikanëve. Ai shtoi se të gjitha analizat vendore e ndërkombëtare, e nxjerrin fitues koalicionin LDK-AKR-Alternativa.

“Në bazë të analizave vendore dhe ndërkombëtare, ne tanimë jemi fitues. Ne jemi koalicioni më i fuqishëm. Por neve na duhet një fitore e thellë për t’u siguruar që kundërshtarët tanë politikë t’i nxjerrim në opozitë për një kohë të gjatë, në Shtime në veçanti. Fryma e fuqishëm po vjen fuqishëm si në kohën e Rugovës. Ne kemi zotimet të qarta për rini do t’iu ofrojmë arsimim cilësor, dhe vende pune sa të mbarojnë arsimin. Ne kemi zotime të qarta për familjet e reja, nga 100 euro për secilin fëmijë për gratë që nuk janë të punësuara”, tha ai.

Ndërsa lideri i LDK-së Isa Mustafa tha se programi i këtij koalicioni, nuk është program i zhvatjes së shtetit, por në interes të qytetarëve.

“Programi jonë nuk është program i interesave individuale. Nuk është program i zhvatjes së shtetit, nuk është program i keqpërdorimit. Ne do ta bëjmë prerjen e keqpërdorimit. Ne do ta kemi fuqinë e qeverisjes. Në këtë koalicion në të cilin do të merren vendime, vendime shumë të rëndësishme për këtë vend, që të ndalim të gjitha proceset e keqpërdorimit të pronave. Që të ndalim të gjitha keqpërdorimet të pronave, të gjitha keqpërdorimet e parasë publike, që të ndalet tenderomania përfundimisht dhe që çdo punë që bën Qeveria, ta bëjë në interes të qytetarëve”, tha Mustafa.

Ndërsa lideri i AKR-së Behgjet Pacolli tha se Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, do të jetë një Qeveri e dinjitetshme dhe do të përmirësojë imazhin e shkatërruar të Kosovës.

“Një qeveri e qeverisur nga ky njeri, do të jetë një qeveri e dinjitetshme. Një qeveri që do të punojë vetëm për interesat e qytetarëve, një qeveri e cila do të ketë rezultate të mëdha, në drejtimin e qeverisë dhe në krijimin e mundësive të mira për qytetarët, do të përmirësojë imazhin e shkatërruar tani të Kosovës”, tha Pacolli. /kp