Koalicioni LDK-AKR-Alternativa sot mbajtën tubim zgjedhor në Novobërdë për të shpalosur programin qeverisës dhe prezantuan kandidatët për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Bajrush Imeri kryetar i degës së LDK në Novobërdë dhe kandidat për deputet tha se qeverisja e kryeministrit Mustafa duhet të vazhdohet nga kryeministri i ardhshëm Avdullah Hoti me koalicionin e shpresës. Kandidati për kryeministër Avdullah Hoti tha se ata janë një koalicion i natyrshëm prandaj jemi bashkë për zhvillim ekonomik.
Ai ka garantuar se do të bëjmë një Qeveri me duar të pastra dhe do të zhvillojnë vendin me një rritje ekonomike.
Sipas tij, Kalaja e Novobërdës do të jetë qendër turistike dhe tha se kanë një program për zhvillimin e bujqësisë duke trefishuar mbështetjen e fermerëve. Hoti tha se do të përkrahin të rinjtë me projekte të ndryshme. Ai tha se janë të vetmit ky koalicion që ka program për punësim dhe mirëqenie për të gjitha shtresat.
“Ne jemi koalicion i natyrshëm prandaj jemi koalicion i paqes, koalicion i zhvillimit ekonomik. Unë e kam për nder t’i prij një liste të jashtëzakonshme. Unë iu garantoj se do të formojmë një qeverisje profesionale, me duar të pastra. Iu garantoj se kemi me pasur zhvillim dyfish më shumë se që kemi pasur deri më tani. Askush më mirë se nuk di ta bëjë këtë, jemi njerëz të shkolluar. Ne dimë si ta zhvillojmë ekonominë, biznesin dhe dim me qenë korekt daj punëtorëve dhe ndaj shtetit. Kjo është platforma jonë që ne i ofrojmë qytetarëve”, tha Hoti.
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa tha se ky vend gjithnjë ka pasur përkrahjen e LDK-së tash edhe të AKR-së. Sipas tij, ky koalicion ka një program qeverisës për qytetarët dhe tha se do të bëjnë përpjekje maksimale që mos të abuzohet me votën e qytetarëve. Po ashtu tha se ky koalicion nuk do të tolerojë ndikim të Serbisë në Kosovë në asnjë mënyrë.
“Ky koalicion ka një program për qytetarët, i cili zgjidhë shumë probleme me të cilat ballafaqohemi çdo ditë si familjet tona dhe bizneset dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Programi i cili prezantohet para jush, kryeministri i ardhshëm Avdullah Hoti është program i cili mbështetet fuqishëm nga ekspertët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne do të bëjmë përpjekjeje maksimale që atë ditë ta kemi votën e gjithë qytetarëve të Kosovës po ashtu do të përpiqemi që mos të abuzojmë me votë dhe popullin e Kosovës. Andaj të votoni për vendin dhe institucionet e Kosovës”, theksoi Mustafa.
Presidenti i AKR Behgjet Pacolli tha se më 11 qershor do t’i fitojnë zgjedhjet dhe ka arsye për ndarjen nga njerëzit që e kanë shkatërruar Kosovën.
Sipas tij Qeveria e re do të jetë e ndershme dhe kjo ndarje do të ndodhë në natën e 11 qershorit.
Pacolli kërkoi nga simpatizantët që të votojnë për partinë e presidentit Ibrahim Rugova.
“Ne do të festojmë fitoren e madhe që ka një mijë arsye. Arsyeja e parë është ndarja nga njerëzit e këqinj, ndarja nga njerëzit që e kanë rrënuar Kosovën, ndarja nga njerëzit që e kanë dhunuar Kosovën dhe fillimi I një epoke ku do të qeverisin njerëzit që e dojnë Kosovën dhe qytetarin. Po ashtu një epoke që e respektojnë gjakun e dëshmorëve të cilët e kanë dashur një Kosovë me mirqëinie ekonomike, një Ksovë paqësore dhe një Kosovë e denj për gjithë qyetarët”, tha Pacolli.
LDK-AKR-Alternativa kanë vazhduar me fushatën zgjedhore në Kamenicë dhe në qytetin e Gjilanit./KP