Aktuale

Hoti reagon për zhvendosjen e presidencës në objektin e MKRS-së

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar për zhvendosjen e zyrës së presidencës në objektin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Hoti ka thënë se nuk do duhej të bëhej zhvendosja e zyrës së Presidencës në objektin e MKRS-së dhe MBPZHR-së, pa u bërë zgjidhja për vendosjen e qindra punëtorëve të këtyre dy Ministrive.

Sipas tij, kjo do të shtojë shpenzimet qeveritare duke paguar objekte me qera.

Reagimi i plotë i Hotit:

“Zhvendosja e Presidencës në zyrat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë, pa u bërë zgjidhje për vendosjen e qindra punëtorëve të këtyre dy Ministrive në një objekt publik ku nuk paguhet qira, nënkupton rritje të shpenzimeve qeveritare për qira.

Është e natyrshme që Presidenca të jetë e vendosur në një objekt më reprezentativ dhe më të përshtatshëm, siç është objekti i Minsitrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Por, kjo duhet të ndodhë krahas ndërtimit të objektit ose gjetjes të zgjidhjes për akomodim të dy Minsitrive. Përndryshe, do të rriten shpenzimet për qira për qindra mijëra euro në vit, të cilat edhe tash janë të larta.

Nuk mund të rritet komoditeti i zyrtarëve publik në kurriz të shpenzimeve publike, me gjithë respektin për institucionin më të lartë të shtetit që është Presidenca. /FaktePlus