Aktuale

Hoti: Me qeverisjen tonë, Kosova nuk do ta humbas asnjë pëllëmbë tokë

I nominuari për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor LDK,AKR,LD dhe Alternativa, takoi qytetarë dhe simpatizantë në Junik.

Ai tha se me qeverisjen e tij dhe koalicionin parazgjedhor, nuk do të lejojnë që të humbet asnjë pëllëmbë toke e Kosovës.

“Ne kemi me u marrë me temat më të rëndësishme, përfshirë demarkacionin me Malin e Zi, duke iu garantuar qytetarëve të Kosovës që asnjë pëllëmbë toke e Kosovës nuk është humbur dhe as nuk do të humbet. Kemi me u siguru që gjithë spektri politik, opozita e ardhshme së bashku me qeverinë, me njerëzit e Junikut që janë në bjeshkë e që e dinë saktë se ku është vendi, me njerëzit e Deçanit e Pejës e vendeve tjera, me u siguru për tokë… Kush tjetër më mirë se LDK mund ta mbrojë tokën e Kosovës?”, tha Hoti dhe shtoi se Juniku me mbështetjen e tij mund të ndikojë në ndërrimin e gjendjes aktuale në Kosovë, deri në liberalizimin e vizave.

Ndërsa shtoi se meqenëse Juniku njihet si vend i besës, janë atje pikërisht për të kërkuar besën që Juniku të marrë frymë sikurse në kohën rugoviane.

Ai theksoi se Juniku nuk i ka mbushë listat e veteranëve edhe pse prej kësaj zone ka pasur mjaft luftëtarë, për të cilët tha se janë në LDK.

E sipas Hotit, ishte pikërisht kryeministri Mustafa, ai që filloi të tregoj kujdes për veteranët e luftës që ishin të lënë anash për 17 vite.

Ndërkaq tha se ndodhen në Junik për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe për të ndihmuar secilën familje junikase. Ai premtoi se do të punojnë për zhvillimin e turizmit në zonat e Junikut.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, u shpreh se Avdullah Hoti punën e qeverisjes së shtetit do ta bëjë në mënyrën më të mirë.

“Është një personalitet që e meriton qeverinë e Kosovës në të ardhmen. Është një njeri të cilit ne duhet t’i besojmë sepse gjithë punën e tij që e ka bërë deri më tani në arsim, shkencë, komunë, e ka bërë me përgjegjësinë më të lartë dhe unë iu siguroj se punën në qeverisje të shtetit do ta bëjë edhe më mirë. Andaj ju ftoj që të punoni maksimalisht në teren, të bindni çdo qytetarë që ka të drejtën e votës që ta përkhrah këtë listë, sepse është lista më e mirë e kandidatëve për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa ndërsa shtoi se me LDK-në, do të munden ata që kanë keq qeverisur vendin për 17 vite me radhë.

Ndërsa kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila tha se ky koalicion me në krye me Avdullah Hotin, është më i miri që mund ti ofrohet qytetarëve të vendit. Sipas saj, koalicioni LDK-AKR-Alternativa, do t’a anëtarësojë vendin në Bashkimin Evropian si dhe do të formojë ushtrinë.

Ajo sulmoi kundërshtarët politikë, duke thënë se ata që dikur flisnin për trimëri, sot kanë ndërruar pozicion vetëm për shkak të interesave personale.

“Një shembull shumë të mire e ka dhënë kjo listë ,që ka ardh para jush me akademikë, me intelektualë, me njerëz me integritet që këtij vendi ja japin integrimin për Bashkimin Evropian, ja japin zhvillimin e mirefilltë, ia formojnë ushtrinë ashtu siç i ka hije një shteti që ka derdh gjak për këtë liri e për këtë shtet, që dikush një herë nuk e njeh shtetin e mandej e lyp votën për atë shtet, që dikush flet për trimëri e në anën tjetër i ndërron të gjitha pozicionet veç pse ja kanë afru një karrige”, tha Kusari-Lila./KP/