Aktuale

Hoti premton furnizim me barna të listës esenciale për të gjithë pacientët

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR dhe Alternativa, Avdullah Hoti, ka vizituar Shërbimin e Kardiologjisë dhe Institutin e Onkologjisë në QKU, ku premtoi se do të punojnë në furnizimin e barnave në listën esenciale për të gjithë pacientët.

Po ashtu, Hoti tha se programi i tyre është shumë i qartë që sa më parë të funksionalizohen sigurimet shëndetësore.

“Ka shumë punë për të bërë, veç sa kemi filluar, ne tani kemi aprovuar një projekt që është afër 50 milion euro që i modernizon krejt pajisjet e spitaleve, do të punojmë shumë në furnizimin e barnave të listës esenciale pa përjashtim, aty nuk do të kursejmë asgjë që ato ti kenë të gjithë pacientët. Do të ofrojmë shërbimin shtëpiak për njerëzit që kanë nevojë, këto janë gjërat elementare që do të bëhen në fushën e shëndetësisë dhe normalisht të ndërrojmë formën e pagesës për personelin shëndetësor. Këta janë ekspertë të profileve shumë të larta dhe ne nuk mund të lejojmë komoditetin vetës që këta të lëvizin në sektorin privat ose të largohen nga vendi”, tha Hoti.

Ai tha se në shëndetësi vetëm sa ka filluar përmirësimi i shërbimeve shëndetësore.

“Në shëndetësi vetëm sa ka filluar përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, jam shumë i kënaqur me dy klinikat që i vizituam sot, me standardin e shërbimeve që ofrohen tash. Programi jon është i qartë që sa më parë të funksionalizohen sigurimet shëndetësore, e cila na krijon një farë komoditeti të nevojshëm tek buxheti për të financuar ofrimin e shërbimeve me standarde të larta. Ajo që është impresive dhe që unë e pash edhe në të kaluarën, sepse vetë kam pasur përvoja personale, edhe sot pacientët janë shumë të kënaqur me shërbimet që i ofrojnë”, tha ai.

Kurse, Ekrem Hyseni, drejtor i repartit të Onkologjisë, tha se kanë nevojë për staf të mesëm, pasi që stafi specialistik sipas tij është afërsisht i kompletuar.

“Stafi specialistik është afërsisht i kompletuar, kemi nevojë për staf të mesëm më tepër edhe që është shumë më rëndësi aparatura e cila për momentin është duke funksionuar mirë, por që kemi nevojë me i rinovua sepse amortizimi e bënë të vetën dhe të gjitha këto shërbime pastaj na paraqesin pengesë në ofrimin e të gjitha kërkesave”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, tha se sa më shumë që mund të përkrahen këto reparte aq më nderë i bëjnë edhe vetës edhe pacientëve. /kp