Aktuale

Hoti: Po punoj shumë fort për njohje reciproke me Serbinë

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se është duke punuar fort për njohje reciproke me shtetin serb, raporton Gazeta Express.

Kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka nënshkruar një marrëveshje paqeje me shtetin fqinj Serbinë, për të riparuar plagët e luftës së fundit, beson se është koha për lajme të mira duke shkuar drejt paqes për të dyja shtetet.

Në një intervistë me Agjencinë e lajmeve të Emirateve të Bashkuara (WAM), Hoti theksoi se Kosova është borxhli ndaj SHBA-së për të gjitha ndihmat që u janë dhënë si dhe për marrëveshjen e normalizimit me Serbinë.

“Ne jemi borxhlinj ndaj SHBA-së për çdo ndihmë që na është dhënë, si për marrëveshjen për normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, dhe për njohje reciproke si shtete të pavarura dhe sovrane në kufijtë aktualë”, ka thënë Hoti.

Duke komentuar njohjen e Izraelit kryeministri Hoti theksoi se “Kosova është një vend demokratik laik ku të gjitha fetë mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet. Shumica e popullsisë është myslimanë dhe ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Izraelin dhe shtetet tjera arabe”.

Hoti thotë tutje se Kosova ka ndërthurur relacione shumë të mira me shtetet arabe, ku realiteti në këto kohë e ka inkurajuar Kosovën që të vendosë marrëdhënie diplomatike me shtetet arabe dhe Izraelin.

Kryeministri Hoti beson se Ballkani dhe Lindja e Mesme mund të arrijnë paqen e përhershme.

“Marrëveshja për normalizimin ekonomik midis dy shteteve fqinje është një procedurë shumë e rëndësishme, por për të arritur paqen dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik midis dy vendeve duhet njohje reciproke”, ka thënë kryeministri.

I pari i ekzekutivit tha se po punon me përkushtim të madh për të arritur njohje dhe paqe të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne besojmë plotësisht se çdo marrëveshje e jona zyrtare midis dy vendeve është me rëndësi për të ardhmen e Kosovës. Angazhimi ynë në dialogun e udhëhequr nga BE-ja është shumë serioz në mbështetje të plotë dhe koordinim të fortë me SHBA-në, e cila është partnerja më strategjike e Kosovës.

Në fund Hoti tha se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me shtetet tjera fqinje, duke përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, dhe Maqedoninë e Veriut.

the authorGazetaKNN