Aktuale

Hoti: Numri i veteranëve po rritet çdo muaj

Doganat e Kosovës deri tani e kanë tejkaluar projeksionin e buxhetit për këtë vit. Për tetë muaj Dogana ka arrit të hyra në vlerë prej 682 milion euro, apo 81 milion euro më shumë se sa vitin e kaluar.

Këtë e ka bërë të ditur , drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Financave, Avdullah Hoti. Gjersa ky i fundit tha se nëse vazhdon të rritet numri i veteranëve përfitues do të ketë të pamundur të sigurojnë mjetet shtesë për këtë vit.

“Ne sivjet me projeksionet buxhetore i kemi të ndarë 25 milion euro, me rishikim të buxhetit që kemi e kemi rritur edhe për 7 milion euro shtesë që janë 32 milion euro komplet për këtë vit. Numri i veteranëve po rritet nga muaji në muaj. Për  muajin gusht janë paguar 27 mijë veteranë me këtë trendin që është duke shkuar këto tre katër muajt e fundit ne mund ta mbyllim vitin me 38 mijë veteranë që të tërheqin pensionet e tyre dhe ky buxhet as për së afërmi nuk i plotëson nevojat për këtë kategori. ..Unë besoj që së shpejti do të ulemi dhe do të gjejmë një zgjidhje për këtë kategori. Është shumë e rëndësishme, është e lidhur çështja e pagesës së veteranëve me programin që e kemi me Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe jo vetëm kaq. Reformat duhet të bëhen në këtë drejtim, është e lidhur edhe me programin me sfidat e mileniumit ku janë afër 400 milion dollarë qà « do t’i marrë Kosova, është e lidhur me mbështetjen që e marrim prej Komisionit Evropian përmes MSA dhe programeve të tjera. Kështu që është tepër e rëndësishme që ne të gjejmë një zgjidhje për këtë “, tha Hoti.

Ndërsa , Rafuna, i ka prezantuar të hyrat e doganave për këtë tetë mujor. Duke thënë se lufta kundër kontrabandës dhe korrupsioni dhe partneriteti me bizneset ka ndikuar në rritjen e të hyrave.

 

“Këtë vit Dogana e Kosovës sipas ligjit për buxhet për vitin 2016, ka të projektuar 1 miliardë e 40 milion euro. Ndërsa për tetë muaj Dogana ka arritur t’i inkasojë 682 milion euro, apo 81 milion euro më shumë se sa viti i kaluar, gjersa  vitin e kaluar në periudhën e njëjtë ne i kemi mbledhur 593 milion euro. Në qoftë se matemi me projeksionin ne jemi 3.2 për qind më lartë se sa projeksioni i paraparë për vitin 2016 , apo kthyer në miliona jemi 22 milion euro më shumë se sa projeksioni i paraparë për tetë muaj. Kjo është shuma më e madhe e mbledhur ndonjë herë në Doganën e Kosovës.”, tha Rafuna.

Sipas tij nëse vazhdon me këtë trend nuk kanë dyshime që deri në përfundim të vitit të tejkalohet projeksioni buxhetor.

Ministër i Financave, Avdullah Hoti, ka lavdëruar punën e doganierëve bashkë me menaxhmentin duke thënë se tashmë rezultatet janë të prekshme, partneriteti me bizneset ka ndikuar në ambiente më të mirë në vend.

 

“Normalisht rezultati  kryesor i Doganës vlerësohet me nivelin e të hyrave që mbledh. Mirëpo duke qenë që ne po ndërtojmë një sistem, duke funksionuar në këtë drejtim, duke i mbyllur ato vrimat e zeza që kanë ekzistuar në një kohë, ashtu siç e thashë fokusi i doganës me të drejtë është kah krijimi i kushteve më të mira për zhvillim të biznesit. Duke e zhvilluar një konkurrencë të drejtë dhe fer në tregun vendor. ..Unë sot me krenari e them se janë arritur rezultatet edhe në nivelin e të hyrave por edhe në normalizimin. Shifrat që u treguan nuk janë vetëm të hyra në kuptimin fizik por tregojnë krijimin e ambientit fer dhe konkurrencës së drejtë në treg”tha Hoti.

Gjatë prezantimit të të dhënave të prezantuar nga Dogana është bërë e ditur që hyrja e në fuqi e MSA-së ka ndikuar në buxhet me 11 milion euro më pak të hyra të përgjithshme.