Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova po i merr të gjitha masat për mbrojtje nga virusi që po shkakton vdekjen dhe në këtë rrafsh nuk duket të shkaktohet asnjë panik, por duhet të rriten në maksimum masat e kujdesit që janë shumë efektive në parandalimin e përhapjes.
Qeveria e Kosovës sot e ka miratuar planin për reagim lidhur me Koronavirusin, ku përfshihet një buxhet prej 10 milionë euro për të pajisur të gjitha institucionet shëndetësore, emergjencat dhe adaptim të objekteve për të trajtuar rastet që mund të paraqiten.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti që vjen nga radhët e LDK-së tha se çdo veprim i institucioneve lidhur me parandalimin e përhapjes dhe trajtimin e të infektuarve me Koronavirus bazohet në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
“Nuk duhet dhe nuk do të shkaktojmë asnjë panik, por duhet të rriten në maksimum masat e kujdesit që janë shumë efektive në parandalimin e përhapjes. Të gjithë kemi përgjegjësi në këtë situatë. Shpreh mirënjohje për gjithë stafin shëndetësorë për mobilizim e plotë për tu përballur me situatat që mund të paraqiten”, ka thënë mes tjerash Hoti.
