Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, bashkë me partnerët e koalicionit të mërkurën mbajtën tubim elektoral në Komunën e Kamenicës, me ç’rast u premtoi qytetarëve se ky koalicion më së miri do t’i adresojë brengat dhe shqetësimet e tyre.
Ai tha se koalicionin LDK-AKR-Alternativa në qeverisjen e ardhshme do të zgjidhë problemet më të cilat përballen qytetarët, pasi do të ndërtohet një shtet i fortë.
“Askush më mirë se sa ky koalicion nuk i adreson brengat edhe shqetësimet e qytetarëve. Unë e di që plot qytetarë ende jetojnë në kushte të vështira. Por ju garantoj që plani jonë për qeverisjen e ardhshme ka me i adresuar më së miri ato. Kemi punuar bashkë të gjitha gjeneratat në LDK gjatë. Potenciali jonë me partnerë të koalicionit sigurohemi që një qeverisje e keqe që kemi parë tash e sa vite del për një kohë të gjatë në opozitë. Janë amanetet e presidentit Rugova për të ndërtuar një shtet të fortë, një shtet demokratik. Një shtet demokratik është shtet ku të rinjtë që e kryejnë arsimin të gjejnë punë, pensionistët mund të jetojnë me pensionet e tyre, bujqit të sigurojnë të ardhura me punën që e bëjnë. Bizneset të zhvillohen lirshëm. Këto janë heroizmat e Kosovës të vitit 2017”, tha Hoti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka lavdëruar kandidatët e koalicionit të cilët garojnë për deputet nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa. Ai tha se në këtë listë ka shumë njerëz të mirë dhe të pastër që meritojnë t’i përfaqësojnë qytetarët në Kuvend.
“Unë besoj shumë që ne e kemi arrit qëllimin, besoj shumë që ne kemi përkrahjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës, se kjo fitore e këtij koalicioni do të jetë fitore e Kosovës. Kemi një listë të kandidatëve për deputet të Kuvendit që e ka mbështetjen e plotë të LDK-së, AKR- Alternatives, Lëvizjes për Drejtësi. Kemi ardhje të ekspertëve, nga shoqëria civile nga institucione të ndryshme që ofrojnë ekspertizë të mrekullueshme për qeverisjen e ardhshme dhe kemi garancinë se ky program qeverisës është programi më i mirë për Kosovën. Prandaj për këto objektiva ju ftoj ta mbështesni listën tonë për deputet, ta mbështesin koalicioni njerëzit që i prijnë kësaj liste të zotit Hoti”, tha Mustafa.
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka ironizuar me listën e koalicionit PAN, duke thënë se lista e koalicionit LDK-AKR-Alternativa ka njerëz të pastër, ndërsa të tjerët që e dhunuan Kosovë kanë tjetër përbërje.
“Besoj që nuk mungon asgjë që motivacioni të jetë edhe më i fortë që më datën 11 të qershor të shkojmë te vendvotimet dhe të votojmë për këtë koalicion. Ky është koalicion i drejtë i mirë i paqes, koalicion i njerëzve të dijshëm, koalicion që kanë vullnet për punë. Që ta bëjmë Kosovën të jetueshme të dashur, ta bëjmë Kosovën me mirëqenie ekonomike e këtë dimë vetëm ne me bërë. Tjerët kanë dëshmuar, ata kanë dështuar. Kosovën në njëfarë mënyre e kanë dhunuar, e kanë vjedh, shter dhe Kosova mbetet tani në fatin e njerëzve me vullnet të mirë, njerëzve punëtorë. Tani në këtë koalicion janë ata njerëz. Janë njerëz të ditur. Këtu është e përfaqësuar edhe akademia, gjinia femërore, rinia. Kemi njerëz që debutojnë për postin e parlamentarit, njerëz fantastik, të drejtë, asnjë me skandale, asnjë me procese të ngritura kundër tij, asnjë me akuza dhe lista është pastër si loti. Jo si ajo lista tjetër, mjafton vetëm ta lexoni, nuk ka nevojë me thënë. Lexova sot një koment të një ambasadori të rëndësishëm në Kosovë ku bënte thirrje ku njerëzit të implikuar në krim, njerëzit me akuza mos të votohen”, tha Pacolli. /kp/