Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, si parashtrues i kërkesës për interpelancën e kryeministrit Haradinajt, ka thënë se duhet hetuar dhe konsideruar pretendimet e banorëve të lagjes “Dardania” në Prishtinë, të cilët kanë shfaqur dyshime se ministri Nenad Rikallo, bashkë me familjen e tij gjatë luftës ka fyer dhe përdorur dhunë ndaj këtyre banorëve.
Hoti tha se grupi parlamentar i LDK-së, kërkon përgjigje nga qeveria se si janë trajtuar nga Qeveria këto deklarata të qytetarëve.
Sipas tij, fakti që kryeministri nuk ka vepruar tregon pafuqinë e tij në vendimmarrje si rezultat i varsisë së listës serbe, por në të njëjtën kohë tregon degradimin institucional dhe përbën fyerje për qytetarët.
Tash kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, po raporton në Kuvendin e Kosovës për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, për të cilin janë hedhur dyshime se ka kryer krime lufte në Kosovë. /KosovaPress/