Aktuale

Hoti: Ministritë dhe komunat do të kenë nga një individ të punësuar me aftësi të veçanta

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, vizitoi të enjten Handikosin, me ç’rast premtoi punësim në institucione publike për personat me aftësi të veçanta.

Për këtë, Hoti u zotua se çdo Ministri dhe Komunë do të ketë së paku nga një të punësuar me aftësi të veçanta.

“Dëshiroj që sot para jush, të jap një zotim që në të gjitha institucionet do të angazhojmë së paku nga një person me nevoja të veçanta. E di që produktiviteti juaj në unë është po aq sa I personave të tjerë. Unë iu garantoj se në ditët e para të mandatit do të angazhohem që të gjitha ministritë, të gjitha komunat të kenë së paku nga një të punësuar me nevoja të veçanta. Gjithashtu, edhe në sektorin privat do të subvencionojmë pagat në rastet kur bizneset private punësojnë persona me aftësi të veçanta. Kjo është mënyra më efikase përveç mbulimit të shpenzimeve për ato familje që kanë persona me aftësi të kufizuara “, tha Hoti.

Hoti u shpreh se ndjehet i lumtur që shoqëria kosovare çdo ditë e më shumë po i integron personat me aftësi të veçanta. Ai tha se vazhdimisht ka qenë i përkushtuar dhe se ka vizituar disa herë Handikos-in dhe se vizita e sotme madje nuk duhet të konsiderohet si pjesë e fushatës.

Në fjalën e tij, Hoti përmendi dy raste që mund të jenë motivuese dhe shembull për punën e mirë të personave me aftësi të veçanta. Ai për këtë së pari tregoi se njërin nga pjesëtarët e Handikos-it e ka pasur në Departamentin e analizave financiare, dhe se është pikërisht Valoni ai që ka bërë një punë të jashtëzakonshme sipas tij, e që shumë analiza financiare sot, janë të bëra nga ai. Ai përmendi edhe Ministrin e Financave në Gjermani, për të cilin tha se është person me aftësi të veçanta dhe sipas tij, ai është truri i ekonomisë gjermane dhe Bashkimit Evropian.

Afrimi Maliqi, Kryetar i Unionit të Qendrave të Handikos-it, vlerësoi përkrahjen e dhënë viteve të fundit ndaj Handikos-it e posaçërisht në mbështetje të ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik, ligj i cili sipas tij do të ndikojë në mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara.

Sipas Maliqit, është e rëndësishme që të ndërmerren hapa konkret edhe në përmirësimin e infrastrukturës në mënyrë që personat me aftësi të veçanta të kenë qasje më të lehtë në institucione dhe hapësira të tjera.

“Sa i përket qasjes, ne e kemi një udhëzim administrativ I cili del prej ligjit për ndërtim, I cili quhet ‘Udhëzim administrative për kushte teknike për objektet publike që duhet të kenë qasje për personat me aftësi të kufizuara’ dhe synojmë që ai udhëzim administrative të bëhet ligj, që t’i ndëshkojë apo që t’I obligojë së pari e mandej t’i ndëshkojë ato institucione që nuk I rregullojnë hapësirat apo nuk e rregullojnë qasjen për personat me aftësi të kufizuara që ata të mos ndjehen të diskriminuar”, u shpreh Maliqi ndërsa shtoi se edhe udhëtimi i tyre po kushton shumë pasi që çdo herë po detyrohen të përdorin automjete private.

Ai tha se në Handikos ofrojnë shërbime sociale dhe pajisje, si dhe kanë pasur përkrahjen e Ministrit të Mirëqenies Sociale, Arban Abrashit dhe institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës.

Një nga të pranishmit, Avdyl Ibishi nga Gjilani tha se i është ndërprerë kontrata e punës edhe pse kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kishte premtuar se do të punësojnë personat me aftësi të kufizuara.

Ai për këtë kërkoi që subjektet politike të mos tallen me personat me aftësi të kufizuara në prag të fushatës pasiqë ai konsideron që një gjë e tillë i ka ndodhur edhe vet atij.

“Lutfi Haziri, jo që ka punësuar njerëz me aftësi të kufizuara por edhe ka larguar 12’13” dhe njëri ndër ta jam unë. Në prag të fushatës mua më ndërprenë kontratën dhe askush nuk merret me mua. Unë nuk fitoj as pension të aftësisë së kufizuar, as social e asnjë të drejtë”, u shpreh ai.

Në këtë pikë u përgjigj ish Ministri i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili tha se kanë bërë plotësimin e ligjit për të gjetur zgjidhje për ato ndërmarrje të kontraktuara të cilat po shfrytëzojnë hapësira për të shmangur punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Ne i kemi detyruar kompanitë që kanë detyrim të punësojnë persona me aftësi të kufizuara, që në rastet se nuk i punësojnë të derdhin mjetet në një konto të veçantë në Ministrinë tonë dhe ne atë fond të veçantë, pasi i mbledhim mjetet, e shpërndajmë në mënyra të ndryshme përmes formave të vetëpunësimit apo subvencionimit të pagave në ndërmarrje të ndryshme ku i gjejmë punëtorët”, tha Abrashi.

Ndryshe, Abrashi tha se kanë kalkuluar të mbledhin mbi 2 milionë euro nga kjo mundësi, mjete këto që sipas tij do të shkojnë në punësimin, riaftësimin dhe trajnimin e personave me aftësi të veçanta./KP