Ekonomi

Hoti: Menaxhmenti të jap përgjegjësi nëse mbyllen zyrat postare

Javën e ardhshme do të mbahet një protestë tjetër edhe më e fuqishme nga Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Postës së Kosovës për ta kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, që ka të bëjë me shkëputjen e marrëveshjes së bashkëpunimit të arritur ndërmjet Postës me Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe me disa komuna të Kosovës.

Kështu bëri të ditur kryetari i Shoqatës sindikale të punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti, në një intervistë për KosovaPress, i cili ka thënë se ata kërkojnë edhe shkarkimin e bordit të Autoritetet të Konkurrencës, ngase sipas tyre vendimi është i paligjshëm dhe i padrejtë.

Sipas Hotit, nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, do të kërkojnë përgjegjësi edhe nga menaxhmenti dhe bordi i Postës së Kosovës.

Ai ka thënë se dy ditë pas protestës së tyre, Autoriteti i Konkurrencës ka ndryshuar vendimin të cilin e ka marrë para tre muajsh.

 

“Siç jeni në dijeni edhe ju pas protestës së punëtorëve të postës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e ka bërë edhe një skandal tjetër, e ka ndryshuar vendimin pas tre muajsh, andaj ky është skandal mbi skandal. Vendimet ose duhet të anulohen ose drejtues të Autoritetit të Konkurrencës duhet të shkarkohen… Kërkesa e jonë është e qartë, me shkarkuar kryetarin Prestreshi dhe gjithë komisionin, për shkak të papërgjegjshmërisë që e kanë treguar në marrjen e vendimeve, të cilat kanë shkaktuar pasoja apo është tentuar të dëmtohen një mijë familje… Posta e Kosovës i ka mbi 1 mijë punëtor, realisht është ndërmarrja e vetme në Kosovë që ka pasur ulje të pagave katër herë për një kohë të shkurtër, andaj, ky vendim i rrezikon të gjithë punëtorët dhe na ballafaqon prapë me një krizë financiare”, tha ai.

Sipas Hotit, përgjegjësia për këtë vendim nuk mbetet individuale, ajo bie edhe mbi bordin dhe menaxhmentin. Ai këmbëngul që nuk do të lejojnë më të ketë ulje të pagave në postë. Hoti tha se me anë të këtij vendimi posta dëmtohet me mbi gjysmë milion euro.

 

“Do të ishte shumë e moralshme të shkon bordi dhe menaxhmenti, ngase katër herë ka pasur ulje të pagave… me ndodhë edhe një herë, nuk e di se çfarë kuptimi do të kishte që i njëjti menaxhment me vazhduar fushëveprimin e vet duke i rrezikuar punëtorët në ulje të pagave…Përgjegjësia bartet tek menaxhmenti dhe kur të bartet përgjegjësia tek ta, atëherë hapat sindikal nuk do të mungojnë edhe ndaj menaxhmentit, që i bie se duhet me dhënë përgjegjësi nëse ne rrezikohemi apo mbyllen zyrat postare dhe kemi një krizë financiare, andaj, nuk mund të mbijetojmë kështu”, theksoi Hoti.

Sipas tij, ka pasur mjaft investimeve të mëdha në këto 43 filiale të postës që po i kundërshton me vendim, Autoriteti i Konkurrencës.

Ai thotë se pas dorëzimit të peticionit në Kuvendin e Kosovës, kryesia e sindikatës është duke pritur përgjigjen nga Kuvendi i Kosovës, dhe presin reflektim prej tyre që ta shkarkojnë komisionin dhe të respektohet ligjshmëria e këtij vendimi, për shkak se ky vendim është i paligjshëm, i padrejtë dhe skandaloz.

 

“Ne po presim një përgjigje prej Kuvendit të Kosovës sipas kërkesave dhe peticionit për me iniciuar shkarkimin e bordit të këtij Komisioni. Përndryshe javën tjetër kemi paraparë hapa sindikal për protestë të përgjithshme dhe më e fuqishme se sa e ditës së hënë dhe më e gjatë. Protesta ditën nuk e kemi caktuar protestë pas ditës së hënë”, tha ai.

Në vendimin e datës 6 dhjetor 2016, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës urdhëronte Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komunën e Gjilanit,  Mitrovicës, Ferizajt dhe Komunën e Gjakovës që të ofrojnë kushte të barabarta për transaksionet e njëjta me operatorët e tjerë ekonomikë (privat), gjë të cilën po e kundërshton shoqata sindikale e postës./KP