Në vazhdën e tubimeve para zgjedhore me qytetarë, kandidati i koalicionit LDK, AKR, Alternativa dhe LD, Avdullah Hoti, u takua edhe me simpatizantët në Deçan.
“Besoj se ne mund të ndërrojmë gjendjen në këtë vend, për rend dhe ligj. Ato tri postulatet bazike liri, pavarësi, demokraci, nuk janë plotësuar të gjitha. Ne duam që Junikut e Deçanit t’iu kthejmë qetësinë rugoviane”, tha Hoti.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, foli për alternativën ekonomike që LDK ofron së bashku me anëtarët e koalicionit.
Ai për këtë tha se e kanë njeriun më të rëndësishëm të biznesit në Kosovë, Behgjet Pacollin ndërsa shtoi se në koalicion të shpresës kanë edhe kryetaren më të mirë të komunës së Gjakovës, Mimoza Kusarin.
Për më tepër, Mustafa tha se ‘koalicioni i shpresës’ do të qeverisë Kosovën për tetë vite me radhë.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, tha se qytetarët votojnë secilën herë për atë që e meriton dhe kjo do të dëshmohet siç tha ajo, me kthimin e Junikut dhe Deçanit, më frymën rugoviane.
“Atë çka e ndjej në Gjakovë e ndjej edhe në Deçan. Fryma e ndryshimit që ka marrë Gjakovën dhe Pejën, po e përfshinë edhe Junikun dhe do ta merr edhe Deçanin”, u shpreh ajo./KosovaPress/