Pas ftesës së SHBA- ve për takim në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thirrur në takim të gjithë liderët e partive politike.
Hoti në ftesën e bërë publike ka thënë se nesër do të presë në zyrën e tij nga ora 11:00 liderët politikë.
Se a do të shkojë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këtë takim, ka treguar deputetja nga kjo parti, Teuta Haxhiu.
“Nesër kryeministri Hoti na ka thirrur në një takim për të diskutuar rreth qëndrimeve për takimin e 27 qershorit në Uashington dhe ne do të marrim pjesë”, tha Haxhiu për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ajo, gjithashtu, ka thënë që AAK- ja është e interesuar që të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që do të thotë të ketë njohje reciproke.
Deri tash, Vetëvendosje e ka refuzuar ftesën e Hotit. Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka thënë që nuk do të bëhen pjesë e tryezave që kanë për qëllim legjitimimin e planeve të projektuara të Thaçit.
“Ne nuk mund të bëhemi pjesë e tryezave të tilla, të cilat kanë për qëllim vetëm legjitimimin e planeve të projektuara nga presidenti Thaçi”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa partia e koalicionit, Nisma, ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në këtë takim me shpresën që do të arrihet një marrëveshje.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala ka thënë që kryetari i partisë së tij do të marrë pjesë në takim.
“Po sigurisht, kryetari Limaj do të merr pjesë në takim, pasi që ne jemi pro dialogut”, pohoi Shala.
Kryeministri Hoti këtë takim e ka thirrur një ditë pas ftesës së SHBA- ve , sipas tij, për të bashkërenditur qëndrimet e spektrit politik në procesin e dialogut me Serbinë.