Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se deputetet e tyre nuk do të marrin pjesë në adresimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pasi ai nuk përfaqëson unitetin e popullit siç ia kërkon Kushtetuta.
Hoti ka numëruar 6 arsye pse nuk përfaqëson unitetin, duke thënë se përveç tjerëve kishte diskurs negativ ndaj bashkësisë ndërkombëtare për Gjykatën Speciale.
Sipas tij, Presidenti në zgjedhjet lokale ka marrë pjesë, pastaj është diskursi që ka bërë thirrje për t’u pajisur me pasaporta të Shqipërisë, ka bërë thirrje për protestë para zyreve të BE-së, për mos liberalizimin e vizave e çështje tjera.
“Roli i tij negativ në politikën e jashtme duke i rrezikuar njohjet që janë arritur me shumë mund dhe duke dështuar në anëtarësimin e disa organizatave ndërkombëtare. Këto janë sjelljet e presidentit Thaçi që nuk garantojnë funksionim kushtetues, thirrjet e tilla janë politikisht naive dhe të dëmshme për përpjekjet tona si shoqëri dhe institucione të Republikës së Kosovës, prandaj grupi parlamentar i LDK-së sot nuk merr pjesë në seancën ku presidenti i adresohet qytetarëve”, tha ai.
Hoti është pyetur edhe për ngritjen e pagave në Qeveri.
“Ai gjatë fushatës ka premtuar 30 % rritje pensioneve dhe tash ka dyfishuar pagën për veti dhe ministrat e tij, ne jemi pari institucionale dhe përdorim të gjitha rrugën institucionale për të realizuar qëllimet tona”, tha Hoti.
Përndryshe, edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në fjalimin vjetor të Presidentit, Thaçi./KosovaPress/