Aktuale

Hoti: Haradinaj nuk mund t’i voton marrëveshjet pa votat e opozitës

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti në një konferencë për media lidhur me seancën e sotme të Kuvendit, tha se mos mbështetja e mocionit për shkarkimin e ministrit Nenad Rikallo nga pozita tregon qartë për varësinë e koalicionit qeveritar nga Lista Serbe.

Madje sipas tij kjo tregon se vendimet për shkarkimet e ministrave të Qeverisë së Kosovës merren diku tjetër, e jo nga kryeministri Haradinaj.

Sipas Hotit deputetët e koalicionit qeverisës dhe kryeministri Haradinaj janë duke fyer qytetarët e Prishtinës.

“Mocioni për shkarkimin e ministrit Rikallo nuk u mbështet nga deputetët e pozitës. Kjo në fakt tregon qartë vartësinë e plotë të funksionimit të qeverisë Haradinaj nga grupi politik prej nga vjen ministri Rikallo. Me këtë veprim kryeministri e ka bërë të qartë edhe një herë se vendimet për shkarkimin e ministrave serb nuk merret nga ai dhe nuk merret në Prishtinë, ato vendime mirrën tjetër kund. Unë jam i sigurt megjithatë se kryeministri do të donte ta shkarkonte këtë ministër, por është thjesht i pa fuqishëm. Prandaj, kjo është arsye se unë ndiej keqardhje ndaj kryeministrit Haradinaj që është i detyruara të maj një ministër në kabinetin e tij, i cili ministër akuzohet për dhunë, për torturë ndaj qytetarëve të lagjes ‘Dardania’ në Prishtinë”, tha Hoti.

Hoti foli edhe për votimin e Projektligjit të marrëveshjes IPA 2016, i cili tha se mos votimi i kësaj marrëveshje në seancën e sotme dhe dalja nga seanca kanë dashur t’i tregojnë kryeministrit Haradinaj se për marrëveshje të rëndësisë së veçantë nuk mjaftojnë votat e Listës Serbe, por i duhen edhe votat e opozitës. Ai tha se nesër do të jenë në seancë dhe do ta votojnë këtë marrëveshje, ngaqë sipas tij është e interesit nacional.

“Ne sot kemi dashur që me sjelljen tonë t’i tregojmë Qeverisë dhe kryeministrit se për të votuar marrëveshjet e rëndësisë nacionale nuk i mjaftojnë votat e Listës Serbe, por i duhen votat e opozitës shqiptare. Edhe pse fatkeqësisht ai është i varur nga votat e Listës Serbe. Nesër ne do të jemi në seancë të rregullt nga ora 10:00 dhe do të mbështesim këtë marrëveshje, për arsyen e thjesht, sepse është marrëveshje e rëndësisë nacionale. Dhe nuk mund të lejojmë që kjo marrëveshje të mos ratifikohet ngase qeveria ekzistuese nuk e ka fuqinë politike për të ratifikuar marrëveshje të tilla”, tha Hoti.

Ai ka shtuar se marrëveshja IPA 2016 është negociuar nga Qeveria ‘Mustafa’. Sipas tij, prioritetet që janë përcaktuar në këtë marrëveshje janë negociuar nga Qeveria Mustafa dhe në fakt në marrëveshje shkruan tekstualisht se fondet ndahen në përputhje me prioritet e Qeverisë së Kosovës bazuar në strategjinë zhvillimore 2015-2018. Ai tha se kjo marrëveshje është e rëndësisë nacionale dhe sigurisht që LDK nuk mund të lejojë që marrëveshjet e tilla të mos ratifikohen në Kuvendin e Kosovës./kp