Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa Avdullah Hoti, sot vizitoi Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës.
Ai tha se ndryshimin më të madh për pensionistët si Qeveri e kanë bërë gjatë këtij mandati, ku sipas tij janë përshkallëzuar pensionet.
Ai është zotuar para pensionistëve se do të ulet shkalla e arritshmërisë për stazhin e punës nga 15 në 10 vjet.
Hoti ka premtuar edhe rritjen e pensioneve bazike 40 përqind për pensionistët që nuk kanë kontribuar. Hoti tha se do t’ju njohim stazhin e punës ta gjithë atyre që janë larguar nga puna dhunshëm në vitet e 90-ta.
Hoti garantoj në emër të LDK-së dhe koalicionit që do të punojë së bashkë shumë që të përmirësohen edhe më tutje kushtet për të ardhurat e pensionistëve për të pasur një jetë të qetë me familjet e tyre.
“Unë dëshiroj sot që tri pikat kryesore t’i them para juve për programin pensionist dhe zotohemi para juve që menjëherë do fillojmë të punojmë në realizimin e atyre tri premtimeve. E para është se ka qenë kërkesë e kamotshme të ulet përvoja e punës nga 15 në 10 vjet, ne jemi të gatshëm në bazë të analizave që kemi bërë ta ulim përvojën e nevojshme të punës për të përfituar pensionet kontribut dhënës. Normalisht që ka një kosto për buxhetin e shtetit por ne ju kemi borxh këtyre njerëzve që kanë punuar për vite të tëra… E dyta është njohja e përvojës gjatë viteve të 90-ta për shkak të largimit masiv nga puna që ka ndodhur… E treta është Fondi pensional të cilin do të themelojmë me ligj për të siguruar që pensionet bazike të rriten së paku për 40 përqind krahasuar me atë që janë tash, sepse ne kemi një numër të pensionistëve që nuk kanë kontribuar”, tha Hoti.
Për ta realizuar këtë program Hoti kërkoi nga pensionistët që ta mbështesin këtë program.
Ndërsa, presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, tha se koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka një program 100 përqind për të mirën e qytetarëve, ndërsa i quajti mashtrime premtimet e kundërshtarëve politikë.
“Kemi një program 100 përqind për qytetarët dhe për një jetë më të mirë, prandaj, nuk ekziston asnjë arsye me dyshuar diçka në këtë program. E di se ju keni pasur takime edhe palën tjetër, por ju grantoj se ne nuk e kemi ndërmend me ju mashtruar. E kemi ndërmend me e implementuar komplet pikat të cilat ne I kemi për synim”, tha Pacolli.
Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve, tha se presin nga politika që në këtë fushë të bëhen ndryshime rrënjësore.
“Lidhja e pensionistëve është një subjekt i veçantë me rëndësi sheqërore në Kosovë. I përfshinë të gjitha kategoritë rreth 160 mijë pensionistë, prej tyre janë 42 mijë pensionistë kontribut pagues që periudha e tyre ka qenë mjaft e vështirë në këto 17 vjet. Në dy tri vjetët e fundit janë bërë rikthesa të mëdha, por nuk është arritur qëllimi që pensionet dhe pensionistët t’i realizojnë ato pensione që i kanë merituar me kontributet e tyre. Presim edhe prej juve edhe prej të gjitha partive në fushën e pensioneve të bëhen rikthesa dhe reforma rrënjësore. Të kthehehet me Ligj Fondi pensional, të kthehet parimi sipas sistemit intergjenerativ, të caktohet me ligj 10 deri 20 përqind nga Fondi i privatizimit në Fondin pensional të obligohet me Ligj të participoj Trusti pensional në fondin pensional. Andaj, kjo do të ishte një zgjidhje…”, theksoi Kajtazi.
Sipas tij, stazhi prej vitit 1990 deri 1999, duhet të ulet, ku sipas Kajtazit ka pensionist që për dhjetë ditë nuk kanë mundur me mbërri stazhin. Pensionistët kërkuan edhe kthimin e fondit pensional invalidor./kp