Asnjë projekt që sot e shihni në komunën e Prishtinës nuk është përgatitur, ideuar, planifikuar dhe zbatuar nga Shpend Ahmeti. Kështu ka deklaruar Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të LDK-së gjatë një konference për media.
Hoti ka thënë se në katër vitet e fundit ka ndodhur një keq menaxhim ekstrem i buxhetit, ku për këtë arsye nuk janë realizuar shumë projekte të aprovuara në buxhetin e Komunës.
Po ashtu, ai tha se Ahmeti të dielën do t’ia dorëzojë buxhetin e Komunës Arban Abrashit me 62 milionë euro më pak se që ai e ka marrë nga Isa Mustafa.
“Buxheti i Komunës së Prishtinës, është një keq menaxhim ekstrem dhe për këtë kanë vuajtur qytetarët e Prishtinës. Për shkak të kësaj qeverisje të dobët Shpend Ahmeti nuk ka mundur të realizoj plot projekte të aprovuara në buxhetin e Komunës, unë i kam prezantuar edhe më herët të dhënat, por më lejoni që edhe sot ti prezantoj para jush. Isa Mustafa e ka marrë buxhetin e Komunës së Prishtinës në vitin 2007 me 27 milionë euro, ia ka dorëzuar Shpend Ahmetit 63 milionë euro që është 2.3 herë më i lartë. Shpend Ahmeti e ka marrë buxhetin e Komunës me 63 milionë euro ka me ia dorëzua të dielën Arban Abrashit me 62 milionë euro, që është më pak sesa që e ka marrë para katër viteve”, tha ai.
Hoti tha se projektet kapitale nuk janë realizuar për shkak se nuk janë inkasuar të hyrat vetanake. Ai tha se ka pasur të planifikuara për katër vite 105 milionë euro të hyra vetanake nga lejet ndërtimore, tatimi në pronë, ndërkohë që ka realizuar vetëm 80 milionë dhe si rezultat i kësaj Hoti tha se janë 25 milionë euro projekte kapitale të paimplementuara.
Edhe projektin për blerjen e autobusëve, Hoti ka thënë se nuk është projekt i nisur nga Shpend Ahmeti, por nga qeverisja e LDK-së.
Hoti ka thënë projekti për blerjen e autobusëve pat ngecur në pikën kur Kuvendi Komunal është dashur ta marrë përsipër kthimin e kredisë në rast se nuk e kthen Trafiku Urban.
“Unë ju informoj gjithashtu që projekti i autobusëve nuk është projekt i ri i Shpend Ahmeti, është projekt për të cilin ne sa kemi qenë në komunë kemi kryer studimin e fizibilitetit, bile në buxhetin e vitit 2014 të aprovuar në qeverisjen e LDK-së kanë qenë të paraparë për katër vite rresht një deri në dy milionë euro për të blerë autobusë. Sot do të kishim rreth 40 autobusë të blerë me buxhetin e komunës pa pasur nevojë fare të hyjmë në kredi”, tha Hoti.
Ndërsa, sa i përket projektit për parkingjet nëntokësore te Fakulteti Filologjik, Hoti tha se është projekt i qeverisjes së LDK-së ku në atë kohë është kryet studimi i fizibilitetit.
Ai tha se në kampusin Universitar nuk mund të hyjë askush pa miratimin dhe dakordimin e Universitetit të Prishtinës.
“Ju informoj se ky projekt është trajtuar në komitetin për partneritet publiko-privat në afat ligjor, në fakt në fund të mandatit në vitin e katërt të mandatit Shpend Ahmeti e nisur këtë projekt. Projekti që është sjellë në komiteti për partneritet publiko-privat nga ana e komunës së Prishtinës ka përfshirë parkingun nëntokësor dhe një mini- qendër tregtare, e cila daljen e ka pasur nga Radio Kosova në rrugën qendrore, nga Radio Kosova dhe lartë përballë katedrales. Vërejtjet e komitetit dhe të Universitetit të Prishtinës kanë qenë që nga projekti të hiqet pjesa komerciale duke qenë se ajo nuk ndikon fare në kthimin e investimit. Nuk ka dashur ta bëjë këtë Shpend Ahmeti, arsyet i dinë vetë ai që ka dashur të ndërtojë një qendër tregtare brenda kampusit të Universitetit”, theksoi ai.
Si mashtrim Hoti e quajti edhe shifrën prej 46 mijë ndërtimeve pa leje në komunën e Prishtinës, ku tha se janë 46 mijë ndërtime që nuk kanë shkuar nëpër procedura të marrjes së lejes nga Lufta e Dytë Botërore e këndej.
Hoti tha se qeverisja e Shpend Ahmetit do të përfundojë të dielën, e arsye për këtë ai thotë se është se nuk ka qenë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës, por ka qenë në shërbim të Vetëvendosjes. /KP